Lajme

Kryetari i Rahovecit me kritika për buxhetin 2024 / Qeveria është sjellur në mënyrë jomiqësore me komunat e Kosovës

12/12/2023 14:48
nga:N K

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi për GazetaBlic ka thënë se kjo komunë është e pakënaqur me ndarje e buxhetit për vitin 2024.

Latifi ka potencuar se 22 komunat janë me të drejtë të pakënaqura me ndarjen e buxhetit.

“Nuk mund të themi që bëhet fjalë për një projektligj ose që pritet të bëhet edhe ligj të ketë ndarje ose shpërndarje propocionale dhe në bazë të prioriteteve që i kanë komunat e Kosovës. Janë 22 komuna që me arsye të plotë janë të pakënaqura me shpërndarjen e buxhetit për investime publike, në këtë rast komuna jonë dihet mirë dhe nuk është e kënaqur, natyrisht kemi pritur shumë më shumë nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Latifi tutje ka thënë se, kjo padrejtësi nuk ka ndodhur më herët.

“Nuk ndodh ndonjëherë që të ketë kaq shumë padrejtësi në komunat që shumica prej të cilave udhëhiqen nga AAK, PDK, LDK apo NISMA, ndoshta ndonjë diskriminim ka qenë edhe më përpara por jo kaq shumë”, ka thënë ai.

Ai ndër të tjera ka thënë se kjo qasje nga Qeveria është jo miqësore ndaj komunave.

“Bëhet fjalë për një marrëdhënie krejtësisht jomiqësore me komunat e Kosovës nga ana e Qeverisë dhe mendoj që komunat e forta edhe shteti është i fortë. 22 komuna janë dobët të përkrahura ose të themi të papërkrahura, e që nuk i bën nder as qeverisë as shtetit, përshkak se nevojat e komunave për përkrahje financiare”, ka thënë ai.

Latifi ka potencuar se Komuna e Rahovecit ka bërë 27 kërkesa për projektet në këtë komunë.

“Ne si komunë i kemi bërë 27 kërkesa, janë mbi 30 projekte të cilat janë edhe projekte kapitale por edhe nuk janë në kapacitetin buxhetor të komunës. Në këtë rast nuk mund të mbulohen financiarisht nga komuna, ne kemi kërkuar që kur të amandamentohet projektligji për buxhet të përfshihen këto kërkesa sepse bëhet fjalë për investime të cilat nuk mund të mbulohen nga komuna dhe ne kemi nevojë për përkrahje”, ka thënë Smajl Latifi./GazetaBlic/