Kryetari i Shoqatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku, ka thënë se Qeveria nuk i njeh, ndërsa MINT i injoron.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se rritja prej 3.3 për qind në muajin tetor e çmimeve është jashtëzakonisht e lartë, teksa shton se Qeveria duhet të brengoset për këtë.
Ai përmend MINT-in që thotë se ka gjithë infrastrukturën, është departamenti, zyra dhe këshilli për mbrojtjen e konsumatorit dhe nuk po vepron.
“Është përqindje jashtëzakonisht e lartë sepse kemi të bëjmë me ngritjen nominale të çmimeve. Enti Statistikor nuk e ka për obligim të monitorojë ngritjet tjera, llojet e tjera të çmimeve janë mangësitë në peshë, në cilësi, në zhvillim, mangësi në komponentë dhe në afatin e skadencës. Krejt këto janë manipulime shtesë të cilat ngritjen nominale e bëjnë shumë më të lartë. Nuk bëhet fjalë më për 3 për qind, as për 10 e as për 13 për qind por Qeveria duhet të brengoset dhe të bëjë statistika, ekzaminime, hulumtime, anketa, studime, sepse çështja e çmimit nuk është aq e thjeshtë siç mendojmë, është problem sublim që ka nevojë për angazhim serioz nga Qeveria dhe ministritë relevante, sidomos MINT, ku është e gjithë infrastruktura, është departamenti, zyra dhe këshilli për mbrojtjen e konsumatorit. Ndërsa në këto raste, kjo ministri nuk dëgjohet fare, kjo ministri na ka harruar, na ka kthyer shpinën, në njërën anë Qeveria nuk na njeh ndërsa MINT-i na injoron dhe kur këto i bëjmë bashkë na del që në shumë raste kemi abuzime apo sabotime me të drejtat tona”, potencon ai.
Ai tregon se kanë tentuar t’i qasen institucioneve të cilat e kanë obligim që ta monitorojnë konsumatorin por kanë gjetur injorim.
“Me të gjitha ligjet e mundshme që i qasen të drejtave është obligim edhe ex katedra edhe i prokurive që t’i monitorojnë gjërat tona, problemet tona, është obligim edhe i qeverisë dhe MINT-it, që ta përcjellë këtë lëmi, konsumatorin sepse komponenta kryesore ekonomike është konsumatori, po mos të ishim ne s’do të kishte nevojë, as ekonomia, tregu as biznesi, ne jemi kryesorët në këtë sistem. Ne jemi të injoruar sepse dikujt po i pengojmë, nuk do të na pyes dhe nuk na pyet, do të qeverisë ashtu siç do vetë. Nuk ka qeverisje ashtu siç do vetë sepse do të ishte qeverisje anarkike. Nëse kemi të bëjmë me një Republikë, me një sistem demokratik dhe detyrimisht duhet te konsultohet qytetari konsumator, të gjithë ne që e mbajmë ekonominë, me këtë ekonomi, bashkë me politikën e mbajmë shtetin”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Kaçaniku shton se qeveria e konsumatori s’mund të ekzistojnë ndaras, derisa këta të fundit janë gjenerues të buxhetit.
“Nuk mund të ekzistojmë ndaras, as qeveria s’mund të bëjë pa ne dhe as ne pa qeverinë, pra sovrani është themeluesi i shtetit, sovrani jemi ne qytetarët konsumatorë, jemi taksapagues dhe gjenerues të buxhetit, me këtë buxhet ne e financojmë shtetin dhe Qeverinë, pa ne s’ka asgjë, por këtë formulë jo që nuk e dinë por s’ju pëlqen”, deklaron Selatin Kaçaniku./Gazeta Blic/


