Sporti

Kryetari i klubit të Phoenix e kërcënon gazetari Gashi, vjen reagimi nga AGK

04/25/2024 11:24
nga:Lorik J

Gazetari i sportit në Kanal10, Lorik Gashi ka marrë kërcënime nga kryetari i klubit të Phoenixit, Muhedin Ferati.

Ditë më parë Gashi kishte raportuar për vonesën e pagave për futbollistët në klubin që e drejton Ferati, gjë kjo që s’i paska pëlqyer drejtuesit të klubit. Ai ka shkëmbyer mesazhe me gazetarin, ku e ka ofenduar, dhe më pas edhe kërcënuar atë.

AGK para pak minutash ka reaguar për këtë rast, teksa fton FFK të reagojnë dhe Policinë e Kosovës të merret me rastin.

Ja postimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës:

:AGK-ja dënon fyerjet dhe kërcënimet ndaj gazetarit të sportit, Lorik Gashi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka pranuar me shqetësim kërcënimet që janë bërë ndaj gazetarit të sportit, redaktor në Kanal10, Lorik Gashi.

Gashi ka prezantuar komunikimin që presidenti i klubit, Phoenix, Muhedin Ferati, ka bërë me të në rrjete sociale, ku ai e fyen dhe e kërcënon në mënyrë të përsëritur.

“Krejt robt ti q***a. Qite si lajm ti q***a krejt familjen. Veq edhe ni fjal po ta them po se hjeke postimin e rrejshem ateher kom me te befasue”, shkruan në një pjesë të mesazheve.

AGK-ja, e dënon fuqishëm gjuhën fyese dhe kërcënimin e drejtuesit të këtij klubi dhe fton organet e FFK-së të reagojnë, sikurse edhe Policinë e Kosovës që të merret me rastin.

Kërcënime të tilla rrezikojnë seriozisht punën e gazetarëve, të të gjitha sektorëve në këtë rast edhe ata të sportit.

Gashi kishte raportuar për vonesën e pagave për futbollistët në klubin që e drejton Ferati”, shkruan AGK.

/GazetaBlic Sport