Lajme

Kryetari i FSShK-së qan në studio: Qeveria e shkarkoi vëllain tim një ditë para grevës

11/25/2021 18:34
nga:Gazeta Blic

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, pretendon se një ditë para fillimit të gresës së organizuar nga kjo federatë, Qeveria e Kosovës e ka shkarkuar vëllain e tij nga pozita e kryeinspektorit.

Ai akuzon Qeverinë për shantazh duke thënë se vëllai i tij është shkarkuar në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, një ditë pa hyrë në grevë.

“Vëllai im është shkarkuar. Vëllai im ka qenë kryeinspektor, ai e ka pasë mandatin e vazhduar në shkurt, para se me ardhë qeveria. 7 muaj e ka ushtruar këtë detyrë, pak ka tingëllu si shantazhuese dhe kërcënuese sepse kanë pritur 7 muaj, që një ditë para grevës ta shkarkojnë. Mbrëmë në Mbledhjen e Qeverisë është shkarkuar”, ka thënë ai.

Syla me lotë në sy tha se shkarkimi i vëllait të tij, i cili ka qenë luftëtar i UÇK-së, është rast i rëndë për familjen e tyre.

“Ne kemi qenë tre vllezër, dy kemi studiuar jashtë, babën tim e kanë qit prej punës serbët në vitet e 90’ta dhe atëherë me mund e me gjak me nënën rrobaqepëse na ka shkolluar të treve. Një është dëshmor. Luli që e kanë shkarkuar është luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është e rëndë për një familje, aq më pak për një ish-luftëtar, inxhinier i treguar e i suksesshmë”, deklaroi ai në T7.