Sporti

Kryetari i FFM’së, Muhamed Sejdini: Ky ishte viti më i suksesshëm i futbollit të Maqedonisë prej mëvetësimit të shtetit tonë

01/02/2022 12:28
nga:Lorik J

Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut në futboll ka kaluar vitin më të mirë në histori të tyre.

Maqedonia e Veriut ishte kualifikuar në Kampionatin Evropian “Euro2020” që u zhvillua këtë vit, shkruan GazetaBlic Sport.

Kombëtarja e Maqedonisë ishte në grup me Austrinë, Ukrainën dhe Holandën, ku pati tri humbje, megjithatë për ta ishte një sukses i madh që arritën të marrin pjesë në një kompeticion kaq madhor të futbollit evropian.

Kjo kombëtare kishte paraqitje fantastike edhe në kualifikimet për kampionatin botëror, ku ka arritur të sigurojë “Play Offin” dhe tani dëshiron të dëshmoj që sukseset që kanë arritur nuk janë rastësi, por janë bërë me shumë punë dhe sakrificë.

Muamed Sejdini, kryetari i Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ tha se viti 2021 ishte shumë i mirë për shkak të paraqitjeve fantastike në fushën e gjelbërt.

Muhamed Sejdini: “Sigurisht se 2021 paraqet vit historik për Maqedoninë, pasi që pikërisht në këtë vit ne shënuam pjesëmarrjen e parë në një event madhor si që është kampionati Europian. Normal duhej gjithë kjo të ndodhte në vitin 2020, mirëpo e dimë se pandemia me Covid-19 bëri që Europiani të shtyhej për 12 muaj. Përvëç Europianit në vitin 2021 kemi edhe suksese tjera që e bëjnë përfundimisht vitin më të suksesshëm, pasi fillimisht ne tronditëm botën e futbollit me atë fitore 2:1 në Duisburg përballë Gjermanisë, ndërsa e mbyllëm ciklin eliminator për Kampionatin Botëror në vendin e dytë, duke marrë renditjen më të mirë histori e që na siguroi pjesëmarrje historike në play off për kualifikim në Kampionatin Botëror të vitit 2022 në Katar”.

Sejdini shton se ky vit është më i suksseshmi për futbollin e Maqedonisë prej mëvetësimit të shtetit.

Muhamed Sejdini: “Patjetër se ky është viti më i mirë. Dhe jo vetëm prej kur jam unë në krye të FFM-së, por ky ishte viti më i suksesshëm i futbollit të Maqedonisë prej mëvetësimit të shtetit tonë. Krejt kjo shkaku i sukseseve që numërova paraprakisht.”

Tani, Maqedonia e Veriut pas suksesit në “Euro2020”, synon Kupën e Botës 2022, por për këtë i duhet shumë punë, pasi do të përballet me Italinë. Sejdini, i pari i futbollit maqedonas thotë se janë të vetëdijshëm për kundërshtarin dhe do ta kenë të vështirë – por do të provojnë deri në fund.

Muhamed Sejdini: “Vetë hyrja në Play Off është diçka shumë e madhe dhe historike për vendin tonë. Natyrisht, unë jam shumë i lumtur që me këtë arritje ne tregojmë kontinuitet dhe vërtetojmë se sukseset nuk janë të rastit, por fryt i një pune serioze që bëhet në federatë. Në Play Off nuk është se ishim me fat në short, pasi kemi përballë Italinë e më pas qoftë edhe nëse bëjmë senzacion duhet në finale të ndeshemi me fituesin e duelit Portugali-Turqi. Jemi të vetëdijshëm për situatën ku jemi, e dimë se do ta kemi shumë të vështirë, por askush nuk mund të na ndalojë të japim më të mirën nga vetja dhe të besojmë në sukses, qoftë edhe nëse gjasat tona të duken minimale. Ne do të provojmë më të mirën, fusha do të tregojë nëse kjo do të mjaftojë për një senzacion tjetër.”

Në fund, Muhamed Sejdini ka folur edhe për shortin e Ligës së Kombeve që është mbajtur me 16 dhjetor në Nyon të Zvicrës, e ku kombëtarja maqedonase ka mësuar se do të përballet me Gjilbratarin, Gjeorgjinë dhe Bullgarinë. Sipas kryetarit të futbollit të Maqedonisë së Veriut, grupi është relativisht i favorshëm, andaj duhet ta bëjnë punën me përkushtim dhe të besojnë në cikël pozitiv.

Muhamed Sejdini: “Realisht mendoj se kemi qëlluar në grup relativisht të favorshëm, por që kërkon kujdes maksimal nëse nuk duam të lejojmë dështim. Duke parë emrat e përfaqësueseve rivale mendoj se jemi ok për t’u përballur me secilin. Ne tashmë jemi dëshmuar si përfaqësuese që nuk nënçmon askënd dhe me sy të njejtë shohim qoftë Gjibraltarin, ashtu edhe Gjeorgjinë dhe Bullgarinë. Nuk ka shumë filozofi, po bëmë punën tonë si duhet, pa nënçmim ndaj rivalëve dhe me përkushtim në çdo minutë, besoj në një cikël tjetër pozitiv”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport