Sporti

Kryetari i Federatës së Kamerunit, Samuel Eto’o pezullohet për gjashtë muaj!

09/30/2024 20:30
nga:Lorik J

Komisioni Disiplinor i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) ka suspenduar presidentin e Federatës së Futbollit të Kamerunit, Samuel Eto’o (43) për gjashtë muaj për shkelje të rregullave disiplinore, njoftoi organizata ombrellë e futbollit.

Ish-sulmuesi i madh, i cili drejton Federatën e Kamerunit që nga dhjetori i vitit 2021, do të ndalohet të marrë pjesë në ndeshjet e të gjitha ekipeve kombëtare të Kamerunit për meshkuj dhe femra, pavarësisht moshës, gjatë asaj periudhe.

Eto’o u ndëshkua për incidentin në ndeshjen ndërmjet Kamerunit dhe Brazilit të Kampionatit Botëror të Futbollit U-20 për Femra, i luajtur në Bogota më 11 shtator. Komiteti disiplinor i FIFA-s nuk ka dhënë detaje rreth incidentit. Në deklaratë thuhej vetëm se Eto’o u shpall fajtor për “sjellje ofenduese dhe shkelje të parimeve të lojës së ndershme” si dhe “sjellje të keqe” që përfshin zyrtarët.

Ky pezullim erdhi pasi Eto’o u gjobit nga Konfederata e Futbollit Afrikan (CAF) për shkelje të “standardeve etike dhe integritetit”. Gjatë karrierës së tij futbollistike, Eto’o luajti për Real Madridin, Barcelonën, Interin, Chelsean, Evertonin… ndërsa për kombëtaren e Kamerunit bëri 118 paraqitje dhe shënoi 56 gola.

/GazetaBlic Sport