Kryetari i degës së AAK-së në Prizren ka vlerësuar se lidhja e koalicionit parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate ka qenë gabim i rëndë.
Për këtë arsye ka kërkuar falje nga votuesit dhe përkrahësit e AAK-së.
Sipas tij, Aleanca është një forcë politike e qendrës së djathtë, e ndërtuar mbi parime të qarta, mbi traditë kombëtare, përgjegjësi dhe integritet dhe se largimi nga këto vlera është një shkelje ndaj besimit të votuesve e përkrahësve të AAK-së.
Reagimi i plotë:
KËRKIM FALJE DHE ZOTIM PËR TË ARDHMEN
Të nderuar votues dhe përkrahës të Aleancës,
Gabimi më i rëndë i kësaj periudhe ishte lidhja e një koalicioni të panatyrshëm me të majtët e Nismës Socialdemokrate. Ky bashkëpunim ishte një devijim nga vlerat dhe identiteti ynë politik – dhe për këtë përgjegjësinë e marrim ne, kryesia dhe kryetari së bashku.
Aleanca është një forcë politike e qendrës së djathtë, e ndërtuar mbi parime të qarta, mbi traditë kombëtare, përgjegjësi dhe integritet. Largimi nga këto
vlera është një shkelje ndaj besimit tuaj.
Personalisht dhe politikisht, kërkoj falje për këtë hap të gabuar. Ua kam borxh sinqeritetin dhe reflektimin. Zotohem se asnjëherë më nuk do të lejoj — dhe nuk do të jem pjesë — e koalicioneve që shkelin parimet e djathta dhe shijen tuaj politike.
Aleanca do të vazhdojë të forcohet si një zë i fuqishëm dhe i besueshëm i djathtës shqiptare. E ardhmja jonë është në qëndrueshmëri, jo në pazare.
Me respekt,
Besnik Krasniqi


