Lajme

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim ambasadorin e Japonisë, Akira Mizutani

07/05/2022 16:29
nga:Astrit Gashi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani, me të cilin biseduan për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Japoninë, zhvillimet politike në rajon dhe për agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Me këtë rast, kryetari Konjufca e falënderoi ambasadorin Mizutani dhe shtetin e Japonisë për përkrahjen e vazhdueshme që ky vend mik i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës në aspektin e zhvillimit të brendshëm ekonomik dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, duke shtuar se partneriteti strategjik dhe bashkëpunimi mes shteteve tona po shënon gjithnjë e më shumë ngritje.

Kreu i Kuvendit dhe ambasadori Mizutani i vlerësuan shumë të mira marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehën vullnetin për avancimin e mëtutjeshëm të këtyre marrëdhënieve, me theks të veçantë në dinamizmin e bashkëpunimit në fusha me interes reciprok.​