Lajme

Kryetarët e komunave kërkojnë shtimin e qendrave të vaksinimit, disa komuna të gatshme të mbulojnë shpenzimet

08/19/2021 20:58
nga:M K

Me rritjen enorme të numri të infektuarve me coronavirus, është shtuar edhe interesimi i qytetarëve për të marrë vaksinat anti-COVID.

Por, stafi shëndetësor përgjegjës për vaksinim nëpër qendra të vaksinimit mbetet i njëjtë dhe nuk kryhet vaksinimi gjatë fundjavës.

Deri dje (e mërkurë), e shtuna dhe e diela ishin pushim për mjekët e infermierët që vaksinojnë qytetarët, ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se tash e tutje vaksinimi do të bëhet edhe të shtunave.

Por, kryetarët e komunave të Kosovës po kërkojnë me ngulm që vaksinimi të mos ndërpritet as ditën e diel.

Ata janë të gatshëm të hapin Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe ambulantat nëpër fshatra për të vaksinuar banorët e komunave të veta, por që kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë staf për të kryer vaksinimin.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se gjatë takimit me ministrin Vitia kanë kërkuar që të shtohen qendrat e vaksinimit, e të punohet edhe të dielave.

“Kryetarët kanë kërkuar të shtohen edhe qendrat e vaksinimit e të punohet edhe të dielën e jo vetëm të shtunën. Situata është emergjente. Ja tash duhet të intervenojë shteti, ja kur më?”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi tha se çdo dy javë janë të planifikuara takimet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe do të shohin se çfarë do të ndërmarrin pas dy javësh, por siç tha ai situata është alarmante.

“Situata është duke u acaruar, kryetarët janë të gatshëm që institucionet shëndetësore që i kanë në menaxhim t’i hapin për vaksinim, por që stafi duhet të vij nga niveli qendror”, theksoi Ibrahimi për Telegrafin.

Disa nga ta, janë të gatshëm që të mbulojnë vet koston financiare, vetëm që qytetarët të kenë mundësinë të vaksinohen edhe ditën e diel.

Ibrahimi tha se, “Komunat më të fuqishme nga aspekti financiar si Vushtrria e Suhareka janë zotuar që mund të mbulojnë shpenzimet me mjete vetanake”.

“Komunat kanë kërkuar që Qendrat e Mjekësisë Familjare, jo vetëm kryesorja por edhe ato nëpër fshatra që janë, me i shtri këto qendra të vaksinimit, sepse po shihet që interesimi i qytetarëve për tu vaksinuar është rritur, por edhe nevoja për vaksinim është shtuar, po ashtu e vetmja mundësi për të parandaluar përhapjen e këtij variantit Delta të COVID-it është vaksinimi”, tha Ibrahimi.