Lajme

Kryesuesi i KK të Shtimes thërret seancë për Masakrën e Reçakut, Komuna s’ia njeh pozitën

01/14/2026 22:24
nga:G B

Të martën, Rrahman Jakupi njoftoi se ka marrë vendimin nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për zgjedhjen e tij si Kryesues i Kuvendit të Komunës së Shtimes.

E me të marrë këtë vendim, ai thirri Seancë Përkujtimore me rastin e Përvjetorit të Masakrës së Reçakut, e cila tha se do të mbahet më 15 janar 2026, nga ora 08:30 në sallën e Kuvendit të kësaj komune.

Por, me këtë vendim për seancë nuk po pajtohet Komuna e Shtimes, e cila, përmes faqes zyrtare në Facebook, ka thënë se me rastin e shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, është përgatitur vetëm agjenda zyrtare nga Këshilli Organizativ, në bashkëpunim me protokollin e shtetit.

“Nuk do të ketë seancë përkujtimore të paralajmëruar nga kryetari i PDK-së, përkatësisht asamblistit Rrahman Jakupi, pasi vendimi për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit, i dërguar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) është ende në proces të shqyrtimit të ligjshmërisë sipas afateve ligjore”, tha komuna në njoftim.

Komuna po ashtu tha se ky njoftim mbështetet edhe në shkresën zyrtare të MAPL-së, duke shtuar se “kjo ftesë për mbledhje është në kundërshtim me Ligjin Nr. 08/L-284 për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave, përkatësisht të nenit 9”.

Por, Jakupi reagoi sërish, duke thënë se vendimi i MAPL-së nuk ia ndalon atij ushtrimin e detyrës.

“Unë, me datë 03. 01. 2026 (11 ditë deri me sot), me një proces transparent dhe demokratik jam zgjedhur ligjërisht Kryesues i Kuvendit të Komunës dhe kjo është tashmë e njohur nga MAPL, e cila vetëm po shqyrton ligjshmërinë e vendimit, pa e pezulluar atë dhe pa e ndaluar ushtrimin e detyrës”, ka thënë mes tjerash Jakupi, duke publikuar edhe vendimin e MAPL-së.

Ai potencoi se “seanca mbahet nesër për martirët, për historinë, dhe për respektin që Reçaku meriton”.