Zyrtari i gjigantit metalurgjik “Trepça”, Gëzim Mustafa ka fituar një tjetër betejë ligjore përballë udhëheqjes së kësaj ndërmarrjeje.
Beteja gjyqësore ka nisur kur Mustafa ishte transferuar nga pozita e drejtorit të Flotacionit në Trepçë, në njësinë biznesore në minierën e Kishnicës.
Pasi që Mustafa e kishte kundërshtuar vendimin për transferim të marrë nga kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, të njëjtit i ishte shkëputur kontrata e punës.
E krejt këto vendime, tashmë kanë marrë epilog gjyqësor nga dy shkallë të gjykatave vendore.
Ditë më parë, Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka anuluar vendimin e kryeshefit të kësaj ndërmarrje, Faton Ahmeti për transferimin e Mustafës nga pozita e drejtorit të Flotacionit dhe ka urdhëruar kthimin e tij në pozitën e mëparshme.
Për këtë vendim të gjykatës së shkallës së parë, Ahmeti ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, por edhe në këtë instancë, ai e ka humbur betejën ligjore me Mustafën.
Në aktgjykimin e saj të marrë më 7 korrik të këtij viti, Apeli e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Ahmetit, derisa e ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores në Mitrovicë.
“APROVOHET në tërësi si e bazuar kërkesepadia e paditesit Gezim Mustafa nga Mitrovica, ANULOHEN si te kundërligjshme vendimet e nxjerra nga e paditura dhe atë: Vendimi me nr.5792 i datës 25.09.2024 i nxjerr nga U.Di Krye shefit Ekzekutiv të Trepça SH.A me të cilin vendim paditësi si Drejtor i Flotacionit në Njesinë Biznisore Minierat dhe Flotacion Trepça- Stanterg, eshtë liruar nga pozita dhe eshte transferuar në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Kishnicë dhe Artane si Inzhinier i repartit i njësisë së përpunimit të xehës dhe Vendimi me nr.5792 i datës 25.09.2024 i nxjerr nga Komisioni i ankesave me te cilin vendim paditësit i eshtë refuzuar ankesa e datës 16.10.2024″, thuhet në aktgjykim.
Gjithashtu, përmes aktgjykimit, ndërmarrja “Trepça” është detyruar që paditësin ta rikthejë në punë si drejtor i Flotacionit në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg, në një afat prej shtatë ditësh.
Derisa, gjykata e ka urdhëruar “Trepçën” që Mustafës t’ia kompensojë dëmin financiar prej 548.98 euro, si dhe t’i paguajë 544 euro shpenzime të procedurës gjyqësore.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Minatorëve në “Trepçë”, Ibrahim Jonuzi ka treguar për Klankosova rastin e Mustafës, derisa ka shtuar se kthimi i tij në punë është i rëndësishëm.
“Gëzim Mustafa është i larguar nga vendi i punës, fillimisht i është bërë transferi në Minierën e Kishnicës, i cili e ka kundërshtuar vendimin në Gjykatën Themelore dega Mitrovicë. Gjykata e ka gjykuar se transferi ka qenë i padrejtë (transferi nga lokacioni i Minierës së Trepçës-Stantërg në Kishnicë) dhe i jashtëligjshëm, ndërsa Gëzim Mustafa nuk është rikthyer në vendin e punës, pasi menaxhmenti ia ka shkëputur kontratën e punës. E përshëndesim vendimin e gjykatës sepse mendojmë që vendimi për të ishte i padrejtë dhe shpresojmë që vendime të tilla të kemi çdoherë. Është më e rëndësishme që ai të kthehet në punë”, ka thënë Jonuzi.
Për këtë rast, media ka provuar të marrë një përgjigje nga kryeshefi Faton Ahmeri, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë, e as nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara në e-mail dhe në telefon.


