Lajme

Kryeshefi i Termokos: Ngrohja ka filluar për 20 mijë konsumator, por ka vonesa në fillim të procesit

10/20/2023 10:46
nga:N K

Edhe pse Termokos kishte paralamëruar se nga tetori do të niste sezoni i ngrohjes, kjo gjë nuk ka ndodhur në disa pjesë te kryeqytetit.

Për këto vonesa për GazetaBlic ka folur Fisnik Osmani, kryeshef në Termokos, ku ka thënë se kjo gjendje është e kuptueshme në ditet e para të fillimit të procesit.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar dhe siç e kemi obligim ligjor, NP “Termokos” ka filluar furnizimin me ngrohje për mbi 20 mijë konsumatorë, që nga 15 tetori. Për shkak se furnizojmë një numër kaq të madh të konsumatorëve, të shpërndarë në lagje të ndryshme të kryeqytetit dhe një rrjet të tubacionit të ngrohjes prej mbi 100 km, është e kuptueshme që në ditët e para ngrohja nuk do të arrijë njësoj tek të gjithë konsumatorët”, ka thënë ai.

“Për më tepër, gjatë gjithë verës është punuar njëkohësisht në disa projekte, si zgjerimi i rrjetit të ngrohjes, rehabilitimi i rrjetit dhe nënstacioneve të ngrohjes, instalimi i pajisjeve matëse për faturimin sipas konsumit, gjatë realizimit të të cilave është zbrazur sistemi i ngrohjes, gjë që ka pasur ndikim në krijimin e vakumit në sistem dhe në qarkullimin e energjisë termike në këtë fillim sezoni”, ka theksuar tutje ai.

Osmani gjithashtu ka potencuar se këtë vit mënyra e pagesës është më ndryshe, njofton se po bëhet faza testuese e faturimit sipas konsumit.

“Para disa ditësh kemi njoftuar se në këtë sezon ngrohës do të realizohet faza testuese për faturimin sipas konsumit. Gjatë kësaj faze do të bëhen të gjitha analizat dhe kalkulimet e nevojshme, që do t’i paraprijnë fillimit të realizimit të faturimit sipas konsumit, në mënyrë që ky faturim të jetë sa më i saktë dhe të sigurojë faturim vetëm për aq ngrohje sa shpenzojnë konsumatorët tanë”, tha Fisnik Osmani për Gazeta Blic.