Lajme

Kryeshefi i “Pastrimit” flet pas shkarkimit: Vendim politik i kryetarit Rama, duan t’i kapin ndërmarrjet

07/11/2022 12:29
nga:G B

Të enjten, Bordi i Drejtorëve të KRP “PASTRIMI” ka shkarkuar nga pozita Kryeshefin Ekzekutiv, Burim Kelmendi.

Vendimin e bëri të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një njoftimi në Facebook, derisa tha se Bordi e ka shkarkuar atë në një mbledhje të jashtëzakonshme, pasi ka konstatuar se Kelmendi nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë, si objektiv bazë i përcaktuar me Plan Biznesin e aprovuar, dhe krejt kjo për shkak të keqmenaxhimit.

“Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm. Kjo është konstatuar edhe në gjetjet e Zyrës së Auditorit të jashtëm, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë, si pasojë e marrjes së vendimeve përtej kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv, pa aprovim nga Bordi i Drejtorëve”, ka shkruar Rama në Facebook.

Lidhur me shkarkimin, për Gazeta Blic ka folur Burim Kelmendi, Kryeshef ekzekutiv i KRM “Pastrimi”.

Ai vendimin për shkarkim e ka quajtur vendim politik të kryetarit Përparim Rama, derisa ka përmendur gjetjet e Auditorit.

“Vendimi i bordit është vendim politik i kryetarit Rama, megjithëse kjo kompani është regjionale, 6 komuna ku ne i menaxhojmë mbeturinat. Ato nuk janë arsye, raporti i Auditimit është publik, mund ta shohin edhe qytetarët edhe të gjithë, vërejtja e vetme është që punojnë me humbje në Komunën e Prishtinës, kur shpërndajmë llogari në komunën e Prishtinës, 75 mijë fatura në të njëjtën kohë paguhen vetëm për 62 mijë klientë. Edhe është tjetra problematikë e Audimit se pse Komuna e Prishtinës na i merr 90 cent, na paguhemi faktikisht 3.80 nga komuna e Prishtinës, qytetarëve ju merren nga Komuna 4.70”, thotë Kelmendi.

Ndërsa, lidhur me akuzat për mbipunësim, ai tha se në qoftë se përmendet vetëm një emër, do të bëjë padi, teksa shtoi se Rama ka tentuar edhe më herët ta shkarkojë, duke thirrur mbledhje urgjente e duke shkelur procedurat.

“Sa i përket nepotizmit, e kam thënë se në qoftë se ma përmend vetëm një emër, unë bëj padi për shpifje. Por është vendim politik. E kanë fituar pushtetin, tash duan t’i marrin nën kontroll ndërmarrjet publike. Nuk është tentativa e parë, qysh ka thënë edhe vetë kryetari Rama. Brenda një muaji 4 mbledhje të jashtëzakonshme, qindra shkelje të procedurave, qysh thirren mbledhjet e jashtëzakonshme por megjithatë në fund e kanë bërë veprimin e tyre”, thekson ai.

Kelmendi për Gazeta Blic ka njoftuar se për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të KRM “Pastrimi’ do t’i drejtohet gjykatës administrative, pasi ka kontratë dhe bordi që tani e ka shkarkuar, 6 muaj më parë i ka vazhduar mandatin për 3 vitet e ardhshme si kryeshef, për shkak të performances.

“Për shkarkim do t’i drejtohem gjykatës administrative pasi kam kontratë. I njëjti bord i drejtorëve ma ka vazhduar mandatin për 3 vjet, në dhjetor, për performancë të mirë, janë nënshkruar 6 anëtarë të bordit prej 6 komunave që janë gjithsej. Pas 6 muajsh të njëjtit, për performancë të dobët ma kanë ndërprerë kontratën. D.m.th, kjo tregon logjika që është ndikimi i fuqishëm politik i kryetarit Rama”, deklaron Burim Kelmendi./Gazeta Blic/