Krizës së thellë me grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë i është shtuar edhe reagimi i ish-drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, i cili thotë se situata aktuale është më e keqja që ka përjetuar ndonjëherë kryeqyteti.
“Kryeqyteti nuk ka qenë asnjëherë më keq, dhe e them me bindje, sepse jetoj në Prishtinë dhe tentoj të jetoj vetë e fëmijët t’i rris këtu”, tha Musliu, në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova FM.
Ai e konsideron gjendjen si kolaps total dhe fajëson mungesën e vullnetit për zgjidhjen e problemit.
“Situata ka vetëm regres. Nuk ka vullnet, nuk ka disponim për të dhënë zgjidhje problemit të mbeturinave”, u shpreh ai.


