Lajme

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale pret në takim shefin e misionit të EULEX-it, flasin për sundimin e ligjit në Kosovë

01/28/2025 14:31
nga:N K

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj ka pritur sot në takim pune Shefin e Misionit të EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, si dhe bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori Isufaj dhe Shefi i Misionit të EULEX-it kanë zhvilluar diskutime të frytshme lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Në njoftim thuhet se konkretisht në këtë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në mes Prokurorisë Speciale dhe Misionit EULEX, si dhe për mbështetjen e këtij Misioni në ruajtën e pavarësisë institucionale.

Nga ana tjetër Shefi i EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, duke e vlerësuar punën e Prokurorisë Speciale, theksoi se institucioni që ai drejton brenda mandatit të tij do të vazhdojë mbështetjen për Prokurorinë Speciale në promovimin dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Me këtë rast të dy bashkëbiseduesit nënshkruan edhe marrëveshje për pranimin e një donacioni, konkretisht një veture dhuruar nga Misioni EULEX, për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kryeprokurori Isufaj falënderoi Misionin ELUEX për dhurimin e kësaj veture, e cila do të përdoret për nevojat e Prokurorisë Speciale, duke vlerësuar rolin, përkushtimin dhe mbështetjen e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhënë në vazhdimësi për institucionin e Prokurorisë Speciale, si dhe duke shprehur gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen me qëllim të arritjes së sukseseve të përbashkëta.