Lajme

Kryenegociatorët takohen në dhjetor/ Pak pritje nga takimi – si ndikon vlerësimi negativ i Lajçakut në fondin për Kosovën

11/25/2024 14:51
nga:G B

Në dhjetor pritet të mbahet takimi i radhës në mes të kryenegociatorëve të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Kështu bëri të ditur emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“U angazhova në diskutime të rëndësishme mbi dialogun dhe rrugën përpara. Këto biseda janë kritike në formësimin e punës që po bën ekipi im ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në dhjetor. Pres me padurim periudhën e ardhshme”, ka shkruar ai.

Por, cilat janë pritjet nga takim i radhës në kuadër të dialogut?

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se nuk pret ndonjë përparim të dukshëm në këtë takim.

“Duke marrë parasysh historikun e deritanishëm të dialogut me ndërmjetësimin e Lajçakut dhe mos gatishmërinë e palës serbe që ta pranojë realitetin, nuk pres që të ketë ndonjë përparim të dukshëm dhe substancial në këtë takim”, u shpreh ai.

Batusha thekson se Kosova do ta bëjë qasjen e vet, por mos nënshkrimi i marrëveshjes nga pala serbe s’lejon hapësirë për sukses.

“Kosova do ta bëjë pjesën e vet, mirëpo qasja e pa balancuar në dialog dhe mos nënshkrimi i marrëveshjeve nga pala serbe, nuk lejon hapësirë për ndonjë sukses eventual”, deklaroi deputeti i VV-së, Agon Batusha.

Pritje nga takimi nuk ka as ish kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi.

Ai thotë për Gazeta Blic se duket sikur gjithçka është shtyrë pas zgjedhjeve.

“Pritjet janë zero. Një muaj para zgjedhjeve ky takim është takim për me thënë. Krijohet përshtypja se gjithçka është shtyrë pas zgjedhjeve”, thotë Arifi.

Por, ai thekson se takimi po mbahet kur pritet të bëhet disbursimi i këstit të parë të fondit prej 880 milionë eurosh për Kosovën dhe vlerësimi negativ nga Lajçak mund të ndikojë në shtyrje të këtij kësti.

“Megjithatë, duhet të kemi parasysh se ky takim vjen në kohën kur pritet që të bëhet disbursimi i këstit të parë të fondit prej 880 milionë eurosh për Kosovën e po ashtu edhe Serbia e merr pjesën e vet. Ky fond është i ndërlidhur me progresin në dialog dhe çdo vlerësim negativ pas takimit nga Lajçak mund të ketë shtyrje të disbursimit të mjeteve andaj Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme me Qasjen”, deklaron Avni Arifi./Gazeta Blic/

 

​Lajçak: Takimi i radhës mes kryenegociatorëve në dhjetor