Tash e disa muaj Kosova vazhdon të mbetet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, raporton Gazeta Blic.
Masat apo sanksionet vazhdojnë ende të jenë në fuqi, për shkak se kërkesat dhe obligimet që ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare nga Kosova, nuk janë realizuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Shtensionim të situatës në veriun e Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq janë kërkesat e vazhdueshme që SHBA dhe BE po kërkon nga shefi i Qeverisë së Kosovës, që të mundësohen me urgjenc.
Krejt çka ka bërë Qeveria e Kosovës në këtë drejtim, është tërheqja e njësive special, nga totali sa janë në veriun e Kosovës, 25 përqind e tyre janë tërhequr nga ajo pjesë, bazuar në një dakordim ndërmjet Miroslav Lajçak dhe zëvendës kryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi gjatë një ujdie në Bratislavë.
Si erdhëm deri të sanksionet?
Për herë të parë në dy dekadat e fundit Qeveria e Kosovës u përballë me sanksione e masa të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
I gjithë historiku i tyre nisi kur Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, vendosi që me njësite special t`i dërgojë në objektet komunale “të zgjedhurit e popullit” në katër komunat veriore të Kosovës.
Kjo kishte nxitur reagimet e banorëve lokal serb duke kundërshtuar këtë veprim të Qeverisë së Kosovës.
Dhunë, plagosje, djegie veturash e gjithçka tjetër prodhoi ky veprim i Qeverisë e që u ‘dënua’ nga bashkësia ndërkombëtare si ‘hap i ngutshëm’ që mund të qonte në daljen jashtë kontrollit edhe më tej të situatë së sigurisë në veriun e Kosovës.
Kryeneçësia e të parit të Qeverisë, Albin Kurti për krejt këtë situatë dhe mosdëgjueshmëria karshi kërkesave të partnerëve ndërkombëtare, bëri që Kosova për herë të parë në historinë e saj, të përballet me sanksione, siç janë pezullimi i projekteve të USAID, anulimi i Defender 2023 për Forcën e Sigurisë së Kosovë, ‘vizitat jashtë vendit’ përveç atyre për dialog, bllokimi i projekteve IPA të Bashkimit Evropian e masa të tjera.
Thirrjet e SHBA, BE dhe NATO për deeskalimin e Veriut
“I madh e i vogël’ diplomat të SHBA, Bashkimit Evropian, NATO, çdo ditë bënin thirrje në adresë të Qeverisë që përmes dialogut të deepërshkallëzohet situata në veri, e në këtë mënyrë përmes dialogut në Bruksel të dyja palët edhe Kosova edhe Serbia, të ulen dhe të zbatojnë në plotni marrëveshjen e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe aneks zbatimin e marrëveshjes të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Të gjitha këto thirrje si duket hasën në ‘vesh të shurdhër’ nga ana e Qeverisë së Kosovës, që nuk bëri edhe lëvizjen më të vogël për tri kërkesat e SHBA dhe BE-së.
Tentimet e shefit të diplomacisë së BE-së Josep Borel dhe emisarit për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak për t`i ulur palët në tavolinë, dështuan për shkak të qëndrimeve të të dyja palëve – Kosova kërkonte largimin e turmës dhe grupeve kriminale nga veriu – përderisa Serbia ishte e prerë në qëndrimin e saj, se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të themelohet me urgjenc, si zotim i palës kosovare, bazuar në propozimin franko gjerman apo i njohur si ide e Bashkimit Evropian.
Në krejt këtë situatë nuk pati ndonjë takim të nivelit të lartë Kurti – Vuciq, përderisa kishte dështuar një takim tre palësh në nivel kryenogociatorësh Besnik Bislimi – Petar Petkovic dhe BE.
Lajçak e Borell kishin takuar ndaras Besnik Bislimin e Petar Petkovic, por assesi t`i bindnin që të ulën në një tryezë trelaterale.
BE në pushim veror e Kosova nën sanksione
Kosova do të vazhdojë të qëndrojë edhe disa javë ose muaj ( varësisht prej qëndrimit të Kurtit) nën sanksione të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Diplomatë të BE tashmë ‘janë në pushime verore’ dhe tek në vjeshtë apo në shtator mund të ketë lëvizje që t`i bindin palët për një takim ose të nivelit të lartë ose në formatin e kryenegociatorëve për t`i çuar përpara tri kërkesat e SHBA dhe BE – deeskalimin komplet të situatës në veri, hapjen e rrugës për mbajtën e zgjedhjeve në katër komunat dhe kthimin në tavolinën e Brukselit, për zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes së 27 shkurtit.
Deri atëherë vendi do të mbetet në sanksione.
Prishja e raporteve me SHBA dhe BE dhe kërkesa e opozitës për zgjedhje të reja
Izolimi i Kosovës si pasojë e masave apo sanksioneve, ka bërë që tri partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të nisin me ngulm, iniciativa e takime që Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti të rrëzohet duke kërkuar zgjedhje të reja në vend.
AAK tash e disa muaj po kërkon me ngulmë nga dy partitë tjera, nënshkrimet për mocion mosbesimi ndaj qeverisë aktuale, përderisa LDK ka nisur një ‘dëgjim’ më shtresa të ndryshme të shoqërisë për t`i ndalur hovin Qeverisë që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendose dhe kreu i saj Albin Kurti.
PDK në një takim të Këshillit Drejtues njëzëri kishte dal me kërkesë se vendi duhet të shkoj në zgjedhje të reja.
Që të tre liderët e partive opozitare, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj edhe në takime me diplomat të lartë të SHBA dhe BE, po përsërisin kërkesat e tyre se vendit i duhet një qeveri tjetër, e jo kjo aktualja për shkak të izolimit dhe prishjeve të raporteve me partnerët ndërkombëtar.
Opozita aktualisht nuk i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvendin e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.
Shtatori është shumë afër dhe nuk dihet se çfarë zhvillime politike mund të sjell në vend.
Opozita ka ‘kërcënuar’ Kurtin dhe Qeverinë e tij se do të jetë një ‘vjeshtë e nxehtë’. /Gazeta Blic/