Kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu, i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që kishte thënë se do ta vazhdojnë betejën edhe në arenën politike e diplomatike, por edhe në aspektin ligjor e juridik, që “UEFA dhe FIFA t’i dënojnë ata që meritojnë”.
Kurti tha se i jep mbështetje të plotë vendimit të futbollistëve të Kosovës për ta braktisur ndeshjen me Rumaninë në kuadër të Ligës së Kombeve. Futbollistët e Kosovës u larguan nga ndeshja me Rumaninë në Bukuresht në minutat shtesë, pas thirrjeve të tifozëve rumunë “Serbia, Serbia”, fyerjeve dhe hedhjes së gjësendeve në fushë.
Në momentin e ndërprerjes ndeshja ishte 0:0.
“Është totalisht e papranueshme ajo që po bën kryeministri i Kosovës, i cili po e përzien politikën me sportin dhe pretendon se pas gjestit të kombëtares së tij të futbollit për ta braktisur ndeshjen kundër Rumanisë, do të bëjë presion politiko-diplomatik për ta dënuar! Zotëria e tij përpiqet më kot ta kthejë fajtorin në viktimë dhe – më seriozisht – kërkon të bëjë presion politik në asociacionin evropian të futbollit, duke shpresuar në një vendim iluzioni! I them drejtpërsëdrejti dhe qartë se sado që mundohet nuk e deformon dot realitetin dhe se gjithsesi po shkon në rrugën e gabuar, sepse politika nuk ka punë në sport”, ka shkruar Ciolacu në “Facebook”.
Ai ka thënë se ndonëse e pranon se futbollistët e Kosovës luajtën mirë, ai thotë se nuk mund të arsyetohen veprimet e tyre.
“Për atë që ndodhi të premten mbrëma, ka vetëm një të vërtetë: fajtorët janë të qartë dhe nuk janë lojtarët rumunë dhe as publiku në Arenën Kombëtare! Mund ta pranoj që lojtarët e Kosovës luajtën mirë, por kjo s’i shfajëson nga gjesti në fund të ndeshjes, për të cilën duhet t’i mbajnë edhe pasojat! Dhe jam i sigurt se kjo është pikërisht ajo që do të ndodhë!” – ka shkruar Ciolacu.