Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ish-deputeten e Parlamentit Evropian, znj. Doris Pack, të cilën e falënderoi për kontributin shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës.
Ish-eurodeputetja Pack, përgëzoi kryeministrin për marrjen e detyrës dhe për frymën e re që sollën zgjedhjet e fundit. Ajo vlerësoi përkushtimin e Qeverisë për të sjellë ndryshime në vend, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit dërguar mediave.
Po ashtu ritheksoi mbështetjen e saj për Kosovën dhe rajonin, në përpjekjet për paqe, siguri dhe integrim në Bashkimin Evropian.
U bisedua për zhvillimet politike në vend dhe prioritetet e qeverisë për zhvillim ekonomik dhe tërheqje të investimeve nga jashtë. Po ashtu, u diskutua për të arriturat gjatë këtyre 100 ditëve të qeverisjes si dhe takimin e 15 qershorit në Bruksel mbi kapitullin e ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Kurti theksoi planet e qeverisë lidhur me sistemin e edukimit dual dhe mundësitë e bashkëpunimit me shtetet evropiane dhe mërgatën tonë nga shtetet gjermanofolëse, si dhe sjelljen e përvojave të mira për kontekstin e Kosovës.