Kryeministri i vendit Albin Kurti ka dhënë detaje për vizitën e tij në Sofje të Bullgarisë.
“Qëndrimin atje e filluam me pjesëmarrjen në ceremoninë hapëse të Forumit. Në fjalën përshëndetëse vura theksin te rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal drejt integrimit më të madh ekonomik dhe prosperitetit për rajonin tonë”, njofton Kurti.
“Për marrëdhëniet e mira ndërmjet vendeve tona, sfidat dhe mundësitë, raportet dypalëshe dhe bashkëpunimi rajonal biseduam me Kryeministrin në detyrë të Bullgarisë, Dimitar Glavchev me të cilin u takuam për herë të parë, dhe me Presidentin e vendit, Rumen Radev, katër muaj pas bisedës në Prishtinë”, njofton ai.
Pas Sofjes, Kurti do të udhëtojë drejt Gjermanisë.
Postimi i tij i plotë:
Vizita e parë në Sofje të Bullgarisë. U pritëm nga liderë shtetërorë dhe morëm pjesë bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Forumin Ekonomik të Vjenës, që kësaj radhe mbajti punimet në kryeqytetin bullgar.
Qëndrimin atje e filluam me pjesëmarrjen në ceremoninë hapëse të Forumit. Në fjalën përshëndetëse vura theksin te rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal drejt integrimit më të madh ekonomik dhe prosperitetit për rajonin tonë.
Për marrëdhëniet e mira ndërmjet vendeve tona, sfidat dhe mundësitë, raportet dypalëshe dhe bashkëpunimi rajonal biseduam me Kryeministrin në detyrë të Bullgarisë, Dimitar Glavchev me të cilin u takuam për herë të parë, dhe me Presidentin e vendit, Rumen Radev, katër muaj pas bisedës në Prishtinë.
Ndërmjet takimeve me krerë të shtetit bullgar, isha folës në sesionin e diskutimit me titull “Pyetje për vizionarët: Roli i inovacionit, teknologjisë dhe edukimit në bashkëpunimin ekonomik rajonal”, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës që sivjet u zhvillua me moton “Vazhdimi i ndërtimit të urave në kohë të vështira”. Aty shpalosëm historinë tonë të suksesit dhe arritjet përgjatë qeverisjes sonë dhe vizionin tonë për sektorin e teknologjisë që dita ditës po bëhet identitet i vendit.
Pas Sofjes, vazhdojmë drejt Hanoverit të Gjermanisë bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për më shumë takime me ndërmarrës, investitorë potencialë dhe përfaqësues politikë të landit gjerman Niedersachsen.