Kryeministri Albin Kurti ishte sot për vizitë ngushëlluese te familja e profesorit të ndjerë, Kadri Metaj.
Ai shprehu konsideratën e tij të lartë për kontributin e profesorit universitar Kadri Metaj në fushën e arsimit dhe të edukimit të brezave.
Kurti ka shkruar edhe në librin e kujtimeve për të ndjerin duke i konsideruar veprat e tij frymëzim që nuk shuhen.
“Prof. Kadri Metaj mësoi si të mendojnë shumë breza studentësh të cilët sot i kontribuojnë Kosovës dhe shoqërisë. Me jetën e tij të intelektualit të angazhuar dhe profesorit të Filozofisë, në veprat e tij të shkruara që do të lexohen gjatë, e gjejmë në punët dhe rolin tonë si frymëzim që nuk shuhet. Me mall dhe nderim”, ishin fjalët e Kurtit për Metajn.
Sot ai ishte i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.
Prof. Kadri Metaj doktoroi në vitin 1987 në Universitetin e Prishtinës kurse në vitin 1979 u zgjodh asistent në degën filozofi-sociologji. Nga viti 1999 deri në pensionim ishte profesor i rregullt në Departamentin e Filozofisë, ku ligjëroi lëndët nga fushat e filozofisë.
Po ashtu ligjëroi edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Universitetin e Shkupit dhe në Universitetin e Tetovës.
Disa nga veprat e tij janë: “Teoria estetike e Gjergj Llukaçit” botuar më 1990, “Filozofia politike” më 2003 derisa përktheu edhe disa vepra nga fusha e filozofisë dhe estetikës.