Lajme

Kryeministri kroat: Ka shumë sinjale pozitive për planin franko-gjerman, njohja de fakto në rrugë e sipër

02/22/2023 17:10
nga:Y I

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, është shprehur sot se ka shumë sinjale pozitive për propozimin evropian (franko-gjerman) për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe shtoi se njohja de fakto ishte në rrugë e sipër.

Ai u pyet për propozimin në fjalë në një video-diskutim të organizuar nga Këshilli Atlantik.

“Besoj që ne si BE duam stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor…. Megjithatë, përshtypja ime është – bazuar në kontaktet e drejtpërdrejta që kam pasur – se tani ka më shumë sinjale pozitive për propozimin evropian se sa në fillim,” – u shpreh kryeministri kroat.

Pllenkoviqi u shpreh se Kroacia do të mbështeste gjithçka me të cilën dakordoheshin të dyja palët.

Po ashtu, ai u shpreh pozitiv edhe në lidhje me marrëdhëniet e Kroacisë me Serbinë duke potencuar faktin se në qeverinë serbe tashmë kishte edhe një pjesëtar kroat.