Një krim tronditës nga xhelozia ka tronditur opinionin në Serbi. Radovan Ranisavljević, 57 vjeç, shef i sektorit për administratë të përgjithshme dhe shërbime publike në komunën e Koceljevës, vrau brutalisht të dashurën e tij, 46-vjeçaren Jasmina Puretić Lazarević, në shtator të vitit 2020, në lagjen Bariç të Beogradit.
Pas krimit, Ranisavljević u largua drejt urës mbi lumin Sava, afër qytetit të Shapcit, ku tentoi të kryente vetëvrasje. Atë e ndaloi një patrullë policore, të cilës u rrëfye menjëherë për vrasjen. Ai tregoi se ishte ngjitur me shkallë deri te dritarja e shtëpisë së Jasminës, kishte hyrë brenda dhe pas një debati të shkurtër e kishte therur me thikë.
Më pas mbylli derën dhe hodhi shkallët, thikën dhe çelësin, raporton Indexhr.
Policia e Beogradit gjeti trupin e pajetë të gruas rreth orës 03:00 të mëngjesit, me shumë plagë me thikë. Në vendngjarje u sekuestruan prova materiale dhe Ranisavljević u arrestua menjëherë, duke nisur hetimet zyrtare.
Hetimet zbuluan se të dy ishin të martuar dhe me fëmijë të rritur, por mbanin një lidhje të fshehtë pas njohjes në fshatin e tyre. Dyshohet se Jasmina kishte vendosur ta mbyllte marrëdhënien dhe t’i rikthehej familjes – vendim që Ranisavljevići, i përshkruar si tejet xheloz dhe i fiksuar, nuk e kishte pranuar.
Banorët e zonës u shprehën të tronditur, duke thënë se nuk kishin dëgjuar asgjë gjatë natës, ndërsa konfirmuan se çifti kishte marrë me qira shtëpinë ku ndodhi krimi.
Familjarët e viktimës pohuan se e kishin paralajmëruar Jasminën për sjelljen e dyshimtë të Radovanit.
Nëna e saj, Darinka Puretić, tha për mediat: “Vajzën ma vrau një burracak që njihej për përndjekjen e grave. Sikur ta dija se ishte me të, do t’i kisha ndarë me çdo kusht.”
Gjatë gjykimit, prokuroria e cilësoi vrasjen si të mirëmenduar dhe të kryer me pabesi. Prokurori Vladimir Gajić theksoi se Ranisavljevići kishte planifikuar gjithçka: kishte marrë shkallët e duhura, kishte pirë alkool për “guxim” dhe kishte hyrë fshehurazi për t’i mohuar mundësinë viktimës të kërkonte ndihmë.
Në anën tjetër, avokati i mbrojtjes pretendoi se krimi ndodhi “në gjendje afekti”, pas deklaratës së Jasminës se nuk donte ta vazhdonte marrëdhënien.
Vetë Ranisavljević deklaroi mes lotësh se “nuk e kishte planifikuar” dhe se “nuk kujton detaje të ngjarjes”, duke kërkuar falje për krimin.
Para një muaji, Gjykata e Beogradit shpalli vendimin: Radovan Ranisavljević u dënua me 14 vite burg për vrasjen e Jasmina Puretić Lazarević.


