Analisti politik Branislav Krstić ka vlerësuar se mesazhi kryesor i zgjedhjeve të fundit nuk lidhet me fituesin, por me rritjen e mosbesimit të qytetarëve ndaj sistemit politik dhe efektit të votës së tyre.
Sipas tij, mungesa e marrëveshjes mes partive parlamentare po e dobëson vetë kuptimin e procesit zgjedhor, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e motivimit të qytetarëve për të marrë pjesë në votime.
“Mesazhi më i madh i këtyre zgjedhjeve nuk është kush fitoi, por fakti se qytetarët po humbin gjithnjë e më shumë besimin se vota e tyre mund ta ndryshojë realitetin politik. Nëse partitë parlamentare nuk janë në gjendje të arrijnë marrëveshje, procesi zgjedhor humbet kuptimin, ndërsa votuesit humbin motivimin për të marrë pjesë”, thotë ai.
Krstić vlerëson se fokusi politik në këtë fazë duhet të zhvendoset drejt gjetjes së një kandidati konsensual për president.
Nëse presidentja aktuale Vjosa Osmani nuk shihet si figurë që mund të sigurojë pajtueshmëri të gjerë, ai sugjeron se mund të shqyrtohen edhe emra të tjerë si Ramush Haradinaj apo Lutfi Haziri.
“Prandaj, edhe kësaj radhe fokusi do të jetë te gjetja e një kandidati konsensual për president. Nëse Vjosa Osmani nuk është opsioni rreth të cilit mund të arrihet një marrëveshje më e gjerë, ndoshta ka ardhur koha të shqyrtohet një kandidat që mund të bashkojë më shumë akterë politikë, si Ramush Haradinaj ose Lutfi Haziri”, shtoi tutje.
Ai paralajmëron se zgjedhjet e reja nuk do të përbënin domosdoshmërisht zgjidhje, pasi mund të sjellin edhe më shumë bojkot dhe pjesëmarrje më të ulët se më parë.
Për këtë arsye, sipas tij, kompromisi politik nuk është më çështje vullneti, por domosdoshmëri për të shmangur thellimin e krizës së besimit mes qytetarëve dhe klasës politike.
“Zgjedhjet e reja nuk duken si zgjidhje reale, sepse ato mund të prodhojnë një bojkot edhe më të madh dhe një dalje edhe më të ulët se në procesin e fundit zgjedhor. Në këto rrethana, kompromisi bëhet domosdoshmëri politike, e jo çështje vullneti të mirë”.
“Në këto rrethana, kompromisi bëhet domosdoshmëri politike, e jo çështje vullneti të mirë. Çdo vonesë e mëtejshme vetëm sa e thellon hendekun mes qytetarëve dhe klasës politike, duke e bërë votën gjithnjë e më pak të besueshme si instrument ndryshimi”, tha Krstic për GazetaBlic.


