Lajme

Krstic: Lënia e serbëve të Kosovës nën ‘mëshirën’ e Prishtinës, pjesë e marrëveshjes që ka pranuar Vuçiq!

09/07/2024 17:33
nga:Y I

Gjatë ditës së djeshme u mbyllën pikat kufitare në Merdare, Bërnjak dhe Jarinjë nga protestuesit serbë.

Ndërkohë sot u lirua pika kufitare e Jarinjës dhe gjendja paraqitet e qetë.

Ministri Sveçla, njoftoi pak minuta më parë, për largimin e bllokadave nga serbët edhe nga pikat e tjera kufitare dhe lajmëroi se të njëjtat janë hapur për qarkullim.

Në lidhje me gjendjen që u krijua ka folur gazetari serb nga Mitrovica e Veriut, Branislav Krstic.

Krstic në reagimin e tij në Facebook tha se asgjë e re nuk ndodhi në Veri dhe Beogradi i mposhti sërish serbët.

Ai tha se është e qartë se një bllokadë e tillë është mbështetur fshehurazi nga Kabineti i Presidentit të Serbisë.

Krstic tha se ky veprim u ndërmor për të balancuar veprimim e njëanshëm të Albin Kurtit me mbylljen e institucioneve paralele.

“Asgjë e re në veri. Beogradi i mposhti sërish serbët.Nga vetë njoftimi ishte e qartë se grupet vendase do të bllokonin kalimet për aq kohë sa do të duhej që Beogradi zyrtar të akuzohej për shkaktimin e destabilizimit në rajon. Është e qartë se bllokada e vendkalimit është organizuar dhe mbështetur fshehurazi nga Kabineti i Presidentit të Serbisë. Pse? Kjo është arsyeja pse Beogradi zyrtar duhet të luajë qëllimisht veten dhe serbët vendas nga Kosova, duke vendosur kërkesa joreale të protestuesve.Është e thjeshtë, u desh të ndërmerrej një hap ekstrem i njëanshëm për të arritur një ekuilibër për inkursionin e njëanshëm të Kurtit në objektet ku ishin vendosur institucionet e Serbisë. Kjo ua ka bërë më të lehtë autoriteteve ndërkombëtare që t’a shohin Kurtin përmes gishtave kur ai kosovarizon në mënyrë të dhunshme dhe të njëanshme veriun”

Krstic tha se roli aktiv i Kabinetit të Presidentit të Serbisë për ta lënë plotësisht veriun e Kosovës nën autoritetin e Prishtinës zyrtare është ekspozuar plotësisht.

Ai tha se lënia e serbëve të Kosovës nën ‘mëshirën’ e Qeverisë së Prishtinës është pjesë e marrëveshjes që ka pranuar Vuçiq me ndërkombëtarët.

Krstic përmend edhe disa raste të tjera të cilat janë përdorur nga Beogradi për të ‘ndihmuar’ siç thotë ai Prishtinën dhe Kurtin.

“Tashmë roli aktiv i Kabinetit të Presidentit të Serbisë për ta lënë plotësisht Veriun e Kosovës nën autoritetin e Prishtinës zyrtare është ekspozuar plotësisht.
Zhvatja e serbëve të Kosovës dhe lënia e tyre nën çizmet e policisë dhe në mëshirën e Qeverisë në Prishtinë është pjesë e marrëveshjes që Vuçiq e pranoi në dialogun me partnerët perëndimorë, dhe nuk është hera e parë. Për depërtimin e Policisë së Kosovës në objektet në veri të Kosovës, ishte absolutisht e nevojshme që rreth 10.000 serbë nga veriu i Kosovës të ishin në Beograd atë mëngjes jo më pak se në takimin promovues të miqësisë politike të Vuçiqit.Tri ditë më vonë, Beogradi ndihmon Prishtinën duke organizuar një protestë në Zveçan, për të cilën vetë Vuçiq thotë se ishte e dhunshme. Pra Beogradi e ndihmon Kurtin dhe i jep alibi dhe justifikim për arrestimet e ardhshme dhe fillimin e eksodit të serbëve nga veriu”

“Le të kujtojmë. Në momentin kur Qeverisë së Kosovës iu vendos sanksione për përshkallëzimin e dhunës në veri të Kosovës, në Banjskë ndodh një tragjedi.
Kjo i hapi të gjitha dyert Albin Kurtit që të krijojë plotësisht një administratë policore me të gjithë potencialin e tij policor dhe të fillojë të ushtrojë sovranitet në veri të Kosovës. Lista Serbe, me urdhër të kryetarit të saj, merr një pozicion politik pasiv dhe funeral pa aktivitet, prandaj Beogradi i shtyn aktivistët joqeveritar dhe shoqatat e ndryshme të vetëquajtura kombëtare e patriotike në luftën e pretenduar kundër Kurtit. Epilogu është një fiasko e plotë dhe mashtrim klasik ose siç thotë populli këtu, ‘tradhti ndaj interesave të serbëve të Kosovës. Kujtojmë se kur dhe si filloi shpërbërja, si Lista Serbe dhe Presidenti i Serbisë u bënë thirrje serbëve të largohen nga institucionet e Kosovës, si u bojkotuan zgjedhjet, pse po luajnë sërish me qytetarët nga veriu, duke i ftuar së pari në nënshkruajnë një peticion dhe pastaj heqin dorë nga referendumi për largimin e autoriteteve jolegjitime në veri të Kosovës'” tha Krstiç në reagimin e tij në Facebook raporton Gazeta Blic.

Gazetari serb, Krstic, tha se Vuçiq me veprimet e tij ka përmbushur gjithçka për të cilën janë dakoorduar në Bruksel dhe Ohër.

Ai thotë se gjithçka ka ndodhur me Veriun e Kosovës në dy vitet e fundit, nuk është meritë e Albin Kurtit, por realizim i marrëveshjeve të arritura më herët.

“Tashmë është kristal i qartë roli aktiv i kabinetit të presidentit të Serbisë në hapjen e hapësirës që pushtetarët nga Prishtina ta pushtojnë plotësisht Veriun dhe të krijojnë Qeverinë e Kosovës.Gjithçka që ka ndodhur dhe bërë në veri në dy vitet e fundit nuk është meritë e Albin Kurtit por realizimi i marrëveshjeve të arritura, të cilat janë nënshkruar nga Vuçiq dhe Daçiq”

“Kështu, presidenti i Serbisë ka përmbushur thuajse gjithçka është marrë vesh në Bruksel dhe Ohër. Tani gjithçka është në dorën e Kurtit, i cili me marrëveshje ndërkombëtare mori përsipër të zbatojë formimin e Bashkësisë dhe vetëqeverisjes për serbët. Le të kthehemi te bllokadat aktuale të kalimit.Nuk besoj se kjo është shfaqja e fundit e Aleksandër Vuçiqit. Mbetet të shihet nëse këto bllokada false të vendkalimit kanë dërguar paralajmërim tek autoritetet ndërkombëtare se hapja e Urës kryesore në Mitrovicë nuk është e fundit.” tha Krstiç në reagimin e tij në Facebook raporton Gazeta Blic.