Donald Trump është rikthyer sërish në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Që nga betimi i tij si President kanë lëvizur shumë gjëra në politikën botërore duke filluar nga problemi më i ‘nxehtë’ i momentit, konflikti Rusi-Ukrainë.
Kujtojmë se raporte jo shumë të mira me administratën e parë Trump ka patur dhe kryeministri aktual i vendit, Albin Kurti.
Kurti ka zhvilluar polemika të vazhdueshme me emisarin Richard Grenell, i cili është një nga njerëzit më të afërt të Trump.
Si pritet të ndikojë në Kosovë ardhja e Trump në pushtet?
Gazetari dhe analisti serb që jeton në Veri të Mitrovicës, Branislav Krstic, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” tha se me ardhjen e Trump në pushtet vjen një gjeopolitikë dhe një gjeostrategji e re.
Krstic tha se vendet perëndimore po ndërtojnë një platformë përshtatjeje me administratën e re amerikane.
“Me Trump vjen një gjeopolitikë e re dhe një gjeostrategji e re. Vendet perëndimore po ndërtojnë një platformë përshtatjeje me administratën e re amerikane. Se sa mund të kontribuojmë ne, sa e gatshme është Kosova, mbetet për t’u parë. Aspekti ekonomik i politikës së re globale ngre gjithashtu pyetjen nëse Kosova do të paguajë dhe sa për mbështetjen amerikane” deklaroi Krstic.
Ai tha se ende nuk dihet se cilat janë kërkesat amerikane ndaj Kosovës dhe nëse ato kërkesa do të jenë të pranueshme për kryeministrin Kurti dhe si do të reagojë ndaj refuzimit të mundshëm.
“Administrata Trump njofton se nuk do të veprojë si polici i botës, por si kryenegociatori i botës. Ende nuk e dimë se cilat do të jenë kërkesat amerikane ndaj Kosovës dhe nëse ato kërkesa do të jenë të pranueshme për kryeministrin Kurti dhe si do të reagojë Trump ndaj refuzimit të mundshëm të kërkesave të caktuara nga Kosova” deklaroi Krstic në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.
Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit tashmë ka përfunduar plotësisht.
Nga rezultatet e publikuara Lëvizja Vetëvendsoje do t’i ketë 48 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 24 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 mandate dhe AAK-NISMA tetë mandate.
Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë ka të drejtën për formimin e Qeverisë së re.
Kryeministri i vendit njëherësh kryetar i këtij subjekti politik, Albin Kurti, deklaroi ditë më parë, se si fitues të zgjedhjeve kanë obligim t’i formojnë institucionet.
“Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë. Deri atëherë, të nderuar kolegë, pres që të vazhdoni punët e mira” deklaroi Kurti raporton “Gazeta Blic”.
Nëse Kurti arrin të bëjë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë, përpara e presin tema dhe procese të mëdha
Një ndër problematikat e ndjeshme janë edhe marrëdhëniet e tensionuara që i njëjti ka patur në këtë katër-vjeçar me SHBA-të dhe administratën Trump në mandatin e parë.
/Gazeta Blic/


