Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar Qeveri të Unitetit si zgjedhje për të dalë nga ngërçi institucional ku është futur vendi.
Abdixhiku ka shpalosur në një konferencë për media planin prej 15 pikash.
Në lidhje me propozimin e Abdixhikut ka folur për “Gazeta Blic” analisti serb nga Mitrovica, Branislav Krstic.
Krstic tha se një propozim i tillë për fat të keq nuk iu drejtua partive opozitare.
Ai tha se Albin Kurti beson se përveç tij nuk ka autoritet në shtetin e Kosovës që mund ta menaxhojë vendin.
“Një propozim i tillë i LDK-së, për fat të keq, nuk iu dërgua partive opozitare. Në një Qeveri të tillë ‘Tranzitore Uniteti’, mund të angazhoheshin jo vetëm kuadro partiake, por edhe ekspertë nga fusha të ndryshme në vendin tonë”
“Albin Kurti beson se përveç tij, nuk ka autoritet në shtetin e Kosovës që mund ta menaxhojë vendin. Megjithatë, prej muajsh jemi dëshmitarë se qeveria aktuale dhe regjimi aktual nuk janë në gjendje ta menaxhojnë vendin vetë. Me fjalë të tjera, ata e kanë humbur legjitimitetin e tyre” tha Krstic.
Krstic tha se se është e qartë ‘Qeveria e Unitetit është e papranueshme për pushtet’
“Është e qartë se Qeveria e Unitetit është e papranueshme për pushtet. Nëse është e pranueshme për të gjitha partitë e tjera të opozitës dhe nëse është një opsion i mundshëm, mbetet për t’u parë në periudhën në vijim” tha Krstic në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
Dje ka dështuar për herë të 31-të të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Kandidatja e propozuar nga LVV-ja, Albulena Haxhiu, s’ka arritur t’i marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamnetare.
Seanca e radhës pritet të mbahet nesër.
/Gazeta Blic/


