Sporti

Kroos rikthehet në kombëtaren gjermane para Europianit?

01/31/2024 15:25
nga:Lorik J

Toni Kroos është duke menduar për rikthimin në kombëtaren gjermane, raporton media e respektuar sportive The Athletic. Lojtari i Real Madridit u largua nga kombëtarja pas kampionatit evropian në vitin 2021.

Kroos ka bërë 106 paraqitje dhe ka shënuar 17 gola për Gjermaninë dhe ka fituar Kupën e Botës në Brazil në vitin 2014, ku mundi Argjentinën (1:0) në finale pas kohës shtesë me një gol të Mario Gotze. Tre vjet më vonë, një nga mesfushorët më të mirë në histori mund të rikthehet në kombëtare dhe të luajë në Euro, të cilin Gjermania e organizon dhe është në Grupin A me Skocinë, Hungarinë dhe Zvicrën.

Gjatë karrierës së tij fantastike, Kroos fitoi 20 trofe me Realin dhe dhjetë me Bajernin, që do të thotë se në arritjet e tij më të mëdha i mungon vetëm Kampionati Europian. Nga ana tjetër, Kombëtarja gjermane është në një situatë të vështirë. Pasi u eliminuan në grup me Japoninë, Spanjën dhe Kosta Rikën në Botërorin e Katarit 2022, gjermanët vazhduan me rezultate të dobëta.

/GazetaBlic Sport