Lajme

“Krizë ekonomike e sanksione”/ Haxhiu: Qeveria solli krizë energjetike, fatkeqësi që Kurti mbron Nagip Krasniqin e Martin Berishajn

01/05/2025 14:01
nga:G B

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili është kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, me numër 109, ka folur në një intervistë për Gazeta Blic, për zhvillimet politike në vend, politikën gjatë vitit 2024, kandidimin e tij dhe zgjedhjet nacionale.

Ai ka thënë se Kosova ndodhet në krizë ekonomike, nën sanksione dhe së fundi edhe në krizë energjetike, e gjitha kjo për shkak të keqmenaxhimit të Qeverisë Kurti 2.

“Tani të gjithë qytetarët e kanë të qartë, Kosova ndodhet në një krizë ekonomike dhe nën sanksione nga partnerët tanë. Kjo si pasojë e keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të qeverisë Kurti 2. Dhe gjendja ekonomike, përfshirë këtu edhe krizën energjetike që ka krijuar vështirësi të madhe për qytetarët dhe bizneset. Është e pafalshme se si për 4 vite janë shpenzuar mbi 700 milionë euro për import të energjisë, aq sa do të kushtonte ndërtimi i një termocentrali të ri dhe janë kthyer problemet që qytetarët i kishin harruar që nga vitit 2008-2009, dhe kjo krizë është pasojë e keqmenaxhimit dhe mos rinovimit të këtyre termocentraleve”, ka thënë ai.

Haxhiu përmend dy fakte për krizën energjetike.

“Të gjithë i dinë frazeologjitë e Kurtit me filtera e bojlera, tash nuk janë asnjëra por është terri dhe kanë ikur dritat. Kjo qeveri ka sjell krizë të re në fund të vitit. Janë dy fakte këtu. E para, ose duhet të importohet energji elektrike e të sigurohet ajo, prej importit përfiton mafia energjetike e lidhur ngushtë me qeverinë Kurti, përmes sekserit të energjisë, të GEN-it të Beogradit, Martin Berishaj, që po mbrohet nga Qeveria Kurti me imunitetin prej diplomati, ose duhet qëndruar në terr, janë ndalur dhjetëra projekte që kanë qenë të lidhura me energjinë elektrike”, shprehet deputeti.

Ndërsa, sa i përket sukseseve, ai thotë se krahasuar me buxhetin për katër vite, s’ka pasur ndonjë investim të filluar dhe përfunduar.

““Është e pamundur që për 4 vite të mos ketë ndonjë sukses minimal por nëse e krahasojmë buxhetin që e kanë pasur për 4 vite mbi 12 miliardë euro, s’ka ndonjë investim kapital të filluar dhe të përfunduar, shumica e projekteve të nisura janë stopuar. Është shqetësuese si është menaxhuar buxheti, po i shohim aktakuzat e prokurorisë për keqpërdorime milionëshe me ambalazhuesit e ujit, te energjia elektrike. Ne po shohim atë që është për t’u habitur se si po dështon me sigurimet shëndetësore kjo qeveri që ishte një nga premtimet kyçe, gjithashtu reformimi i sektorit të shëndetësisë kthehet në formë të disa renovimeve të korridoreve të disa reparteve dhe kjo bëhet për tenderomani. Janë 3600 profesionistë shëndetësorë që kanë ikur nga Kosova, një kuadër shëndetësor për të cilin na duhen 10 vite për ta rikrijuar në Kosovën tonë”, thekson Haxhiu për Gazeta Blic.

Ai ka folur dhe për aktakuzën e re të Nagip Krasniqit, për të cilën thotë se dëshmon se ai ka abuzuar me pozitën e tij në KEK, derisa e sheh fatkeqësi që Kurti po e merr në mbrojtje.

“Çështjet e Prokurorisë janë të ndara nga politika por po e shohim që ka pasur abuzime me buxhetin e shtetit nga njerëz të emëruar nga qeveria. Nagip Krasniqi ka qenë udhëheqës i digasterit të energjisë nga VV, ka shkuar për të abuzuar, e dëshmon aktakuza e re e prokurorisë por fatkeqësia është që Kurti e merr në mbrojtje Nagip Krasniqin dhe e sulmon Prokurorinë, që nuk ishte e parë më herët, askush deri më tash nuk e ka marrë në mbrojtje atë që ka abuzuar me miliona euro të buxhetit të Kosovës”, ka potencuar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. /Gazeta Blic/