Pas dorëheqjes së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, opozita po forcon përpjekjet për të ardhur në pushtet.
Kreu i saj, Hristjan Mickoski u shpreh se kemi shumicën parlamentare. Por cfarë po ndodh në Shkup? Për të folur për situatën politike në Maqedoninë e Veriut, gazetarja Juli Xhokaxhi zhvilloi një intervistë me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi. Ai u shpreh se është i sigurt që pavarësisht se cfarë deklaron opozita, qeverinë do ta drejtojë sërish Zoran Zaev. Thaçi kritikoi ashpër partitë shqiptare që i janë bashkuar opozitës maqedonase.
A është Maqedonia e Veriut në krizë?
Në një kohë të gjatë sidomos në 30 vitet e fundit, Maqedonia vijon që të mbesë eksperimenti i përplasjes mes SHBA dhe Rusisë dhe herë pas herë edhe Kinës dhe të tjerëve. Situata në Bosnje dhe Mal të Zi, pritej që të destabilizohej edhe në Maqedoni. Unë jam optimist, nuk mendoj se do të ketë ndryshim të qeverisjes, teatër i radhës i opozitës maqedonase me eksperimentin e majtë me dy deputetë dhe prej disa partive të vogla të shqiptarëve që u paraqitën në skenën politike para 5-6 viteve. Mendoj se kjo situatë do të zhvillohet në atë mënyrë, që edhe po të ketë parashtrim të opozitës për shkarkimin e qeverisë. Edhe ata (Mickoski) kanë pranuar se nuk kanë 61 deputetë. Por edhe nëse kryeministri jep dorëheqjen, mandatari do të jetë i kësaj shumice. Nuk është e lehtë. Partitë shqiptare që janë futur në këtë lojë të keqe, të një skenari rus, shpejt do të tërhiqen.