Lajme

Kriza në Ukrainë: SHBA rrit prezencën në lindje të Evropës, dërgon 3 mijë trupa ushtarakë në Gjermani, Poloni dhe Rumani

02/02/2022 20:21
nga:Y I

SHBA do të dërgojë trupa shtesë në Poloni, Gjermani dhe Rumani në përgjigje të tensioneve në rritje mes Rusisë dhe Ukrainës.

Këtë e bëjnë të ditur burime të administratës amerikane.

Në veçanti, Joe Biden do të dërgojë 2,000 trupa nga Fort Bragg, Karolina e Veriut, në Poloni dhe Gjermani dhe rreth 1000 trupa në Rumani.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby shpjegoi se 3000 ushtarët amerikanë që do të dërgohen në Evropën Lindore janë pjesë e 8500 ushtarëve që kanë hyrë në gjendje gatishmërie dhe se në ditët në vijim mund të ketë njoftime për lëvizje të tjera.

“Është e rëndësishme t’i dërgohet një sinjal i fortë jo vetëm Putinit, por botës ,” tha ai, duke deklaruar se Pentagoni nuk e di “nëse Rusia ka marrë vendimin” për të sulmuar Ukrainën, por sigurisht që ka kapacitetin për ta bërë këtë. ”

Ndërkohë, Ukraina “po përgatitet për çdo skenar” dhe beson se “gjithçka është e mundur”, por megjithatë gjykon se trupat ruse të mobilizuara pranë kufirit “nuk mjaftojnë për një pushtim në shkallë të gjerë”.

Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba e përsëriti këtë në një konferencë për shtyp online me gazetarë të huaj.

Kuleba tha se ai beson se për momentin “plani A i Rusisë është të provokojë një destabilizim të Ukrainës nëpërmjet kërcënimit të përdorimit të forcës”.