Lajme

“Kriza, ikjet e qytetarëve, veriu”/ Lladrovci: Brenga më e madhe këtë vit ishin raportet me SHBA-të

01/01/2023 22:47
nga:G B

Kosova po përmbyll edhe një vit, me uljet dhe ngritjet e saj në politikë e çdo fushë.

Lufta e Rusisë në Ukrainë padyshim që ka pasur ndikim edhe për vendin tonë.

E situata këtë vit është bërë më e brishtë se asnjëherë më parë.

Kështu vlerëson kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Ladrovci, në një prononcim për Gazeta Blic.

“Si pjesëtar i një populli që politika ishte përditshmëri nën okupim gjatë fundshekullit të kaluar që kulmoi me luftën tonë çlirimtare, për zhvillimet politike gjatë vitit 2022, kam opinionin tim. Ky opinion imi është i lidhur me të arriturat tona që na gjetën në vitin 2022. Zhvillimet ishin shumë sfiduese. Situata për shkaqe të ndryshme, është bërë më e brishtë se ndonjëherë më parë”, thotë ai.

I pari i Drenasit vlerëson se lufta Ukrainë-Rusi mund të krijonte një vatër të re krize në veri të Kosovës.

“Zhvillimet pretendonin të merrnin kahje të panjohura deri tani, këtu i mendoj rrethanat e krijuara me luftën Ukrainë-Rusi që mund të eskalonin në vatër të re krize në veriun e vendit tonë që fatmirësisht po merr epilog këto ditë”, thekson ai.

Lladrovci shton se nuk është arritur rezultat për fuqizimin e shtetësisë ndaj rrezikut nga Serbia, pavarësisht rrethanave të favorshme.

“Zhvillimet nuk kanë dhënë rezultate të mjaftueshme përkundër rrethanave të favorshme për fuqizimin e shtetësisë ndaj rrezikut që vije nga Serbia. Megjithatë, është rikthyer te një pjesë e njerëzve krenaria edhe me memorien institucionale se sa e vlefshme dhe e çmuar ishte lufta jonë”.

Më tej, ai shton se brenga më e madhe në këtë vit ka qenë raporti me SHBA-të si aleat historik, derisa raportet kanë rënë në nivelin më të ulët.

“Për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe organizatat ndërkombëtare, është bërë pak, brenga ime më e madhe gjatë këtij viti ka qenë raporti i shtetit tonë me aleatin historik, ShBA-në. Konsideroj se në vend se të fuqizohen këto raporte, kanë rënë në nivelin më të ulët”, vlerëson Ramiz Lladrovci për Gazeta Blic.

Ai përmend edhe krizat botërore, ndaj të cilat është dashur të bëhet më shumë për t’u mbrojtur në Kosovë.

“Përgjigja ndaj krizave të shkaktuara në nivel global, si energjia, nafta e gazi, pandemia, inflacioni, greva, mendoj se ka mundur të bëhet me më shumë masa mbrojtëse, me investimet kapitale dhe fuqizim të ekonomisë dhe prodhimit vendor”, deklaron ai.

Sipas kryetarit të Drenasit, një shqetësim është ikja e të rinjve dhe profesionistëve nga vendi, për shkak të situatës në vend, teksa shton se statistikat e ministrive nuk e tregojnë gjendjen reale.

“Situata në vend ndikoi për ikjen e të rinjve dhe profesionistëve jashtë vendit, gjendja në shëndetësi, në arsim, apo fushat tjera, janë brengë. Konferencat për shtyp me statistika të ministrave nuk janë dëshmi e gjendjes reale me të cilën mund të lavdërohemi”, potencon Lladrovci.

Megjithatë, sipas tij, “optimizmi që disponojmë si popull dhe si shtet, na jep të drejtën të punojmë edhe më shumë, edhe më mirë”./Gazeta Blic/