Lajme

Kriza financiare në RTK, punëtorët nesër në grevë njëorëshe

11/16/2025 09:40
nga:Genita C

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës kanë paralajmëruar grevë njëorëshe për ditën e nesërme, për shkak të mosalokimit të buxhetit për RTK-në dhe mospagesës së pagave për 700 punonjësit.

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se gjatë ditëve të fundit ka dërguar letra zyrtare për Roberta Metsola, Kryetaren e Parlamentit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, dhe Viola von Cramon, Rapportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Kjo sindikatë ka thënë se në këto komunikime i ka informuar me përpikëri për gjendjen tepër të rënduar financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërsa po hyjmë në muajin dhjetor.

“Ne gjithashtu kemi theksuar se mosmarrja e pagave përbën një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore të punëtorëve. Paga është një e drejtë parësore dhe thelbësore, e garantuar nga ligjet e Kosovës dhe nga standardet evropiane të punës, dhe mungesa e saj rrezikon drejtpërdrejt mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre”, thuhet në njoftim.

Kjo sindikatë thekson se, për të shprehur revoltën dhe për të mobilizuar solidaritetin, të hënën nga ora 11:00, në oborrin e RTK-së do të mbahet një grevë njëorëshe.

“Ftojmë të gjithë kolegët që ta pezullojnë punën për një orë në të gjitha njësitë e RTK-së, si akt simbolik dhe i vendosur për të kërkuar drejtësi dhe pagesa të rregullta. Si Sindikatë, ripërsërisim se situata është e papranueshme. Kërkojmë masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale për të siguruar që punonjësit e RTK-së të marrin pagat që u takojnë dhe që shërbimi publik medial të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet më tej.

Punonjësit e transmetuesit publik kanë protestuar tri herë brenda këtij muaji.