Lajme

Kriza ekonomike, Mustafa: Qeveria urgjentisht të gjejë zgjidhje, është koha të veprojë

10/05/2022 12:03
nga:G B

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se raporti i fundit i Bankës Botërore e konfirmon se ekonomia dhe standardi i jetesës janë në rënie të lirë dhe po ashtu ai thekson dobësitë ekonomike të kësaj Qeverie dhe strategjinë e dobët të luftës kundër krizës ekonomike, energjetike dhe të inflacionit, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se edhe pakoja sociale nga Qeveria vlerësohet si e strukturuar keq dhe me ndikim tejet të vogël.

Mustafa ka thënë se qeveria duhet urgjentisht të gjejë një zgjidhje, pasi i kanë gati 2 vite në Qeveri dhe është koha të veprojnë.

Postimi i tij i plotë:

Raporti i fundit i Bankës Botërore konfirmon atë që ka ndier çdo qytetar i vendit dhe çdo familje kosovare gjatë një viti e gjysmë: ekonomia dhe standardi i jetesës janë në rënie të lirë. Raporti thekson qartë dobësitë ekonomike të kësaj Qeverie dhe strategjinë e dobët të luftës kundër krizës ekonomike, energjetike dhe të inflacionit.

Rritja ekonomike pritet të bie drastikisht sivjet në vetëm 3,1$ në mungesë të investimeve kapitale, veçanërisht nga Qeveria e cila çuditërisht mban 800 milionë euro në bankë, pa i shfrytëzuar, pa i investuar. Në anën tjetër, deri në korrik të këtij viti, importet e mallrave u rritën për 26%.

Edhe pakoja sociale që u promovua shumë nga Qeveria vlerësohet si e strukturuar keq dhe me ndikim tejet të vogël, veçanërisht tek familjet më në nevojë.

Inflacioni, që ka arritur mbi 20% në gusht 2022 në ushqim dhe transport, e shumëfish më shumë në energji, do të dëmtojë thellësisht buxhetin e familjeve kosovare.

Përderisa kriza ka fillet tek periudha gjatë dhe pas pandemisë COVID-19 dhe tek lufta në Ukrainë, paaftësia për t’u dalë ballë sfidave ekonomike në Kosovë është ajo që fatkeqësisht po bie rëndë mbi qytetarët dhe familjet e tyre.

Qeveria duhet urgjentisht të gjejë zgjidhje. Tanimë LDK i ka ofruar 10 pikë për tejkalimin e krizës energjetike si dhe propozime konkrete për zbutjen e çmimeve të ushqimit dhe derivateve. Është koha të veprojnë, kanë gati 2 vite në Qeveri!