Lajme

Kritikohet emërimi i ish kandidatit për deputet të VV-së në krye të ATK-së: E rrezikshme, joligjore – rehati politike me paratë e qytetarëve

08/13/2025 20:58
nga:G B

Mentor Hyseni është emëruar sot drejtor i ri i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas njoftimit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në “mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kriteret ligjore” për këtë pozitë me rëndësi të lartë.

Por, në vitin 2019, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte njoftuar se Hyseni u anëtarësua në Lëvizjen Vetëvendosje dhe ai kishte qenë kandidat për deputet nga kjo parti.

Emërimi i tij në krye të ATK-së ka ngjallur reagime të shumta nga partitë tjera, analistët e shoqëria civile.

E, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, e ka quajtur të rrezikshme dhe joligjore emërimin e Hysenit si drejtor të ATK-së.

Ajo për Gazeta Blic ka thënë se ATK po përdoret si vegël presioni politik.

“Qeveria në detyrë po keqpërdor fuqinë e saj duke vendosur njerëzit partiakë në krye të institucioneve, që duhet të jenë të pavarura. Joligjore! Joetike! E rrezikshme! Hiq më larg se sot: një ish-kandidat i LVV-së u emërua në krye të ATK-së duke e kthyer Administratën Tatimore në vegël presioni politik”, ka thënë ajo.

Sipas deputetes, edhe ky vendim do të jetë joligjor.

“Çdo vendim i Kurtit e vartësve të tij po rezulton joligjor e jokushtetues. Kështu do të jetë edhe ky vendim i marrë”, është shprehur ajo.

Ndërsa, ish deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për Gazeta Blic se administrata shtetërore është shndërruar në strehimore të kandidatëve të dështuar të VV-së.

Kjo, ka thënë Lekaj, është rehati politike me paratë e qytetarëve dhe jo reformë.

“Qeveria Kurti po e shndërron administratën shtetërore në strehimore të kandidatëve të dështuar të Vetëvendosjes. Kush nuk e ka marrë votën e qytetarëve, po e merr postin nga partia. ATK, KEK, borde e agjenci të gjitha janë kthyer në çmime ngushëllimi për humbësit e listës së Kurtit. Kjo nuk është reformë, është rehati politike me paratë e qytetarëve”, ka vlerësuar Lekaj për Gazeta Blic.

Se kjo do të ketë ndikim tejet negativ në shumë aspekte, thotë eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

“Ngjyra politike sot është dominonte. E tërë kjo që po ndodh me kapjen e pozitave kyçe në Kosovë do të ketë efekte negative jo vetëm në aspektin ekonomik, social por edhe në aspektin psikologjik. Si do t’i motivosh sot të rinjtë që investojnë në edukim, arsim dhe profesionalizëm dhe do të sillen rrugëve sepse e kanë kuptuar se sot për t’u punësuar kryesor është bajraktarizmi politik apo përkatësia politike. Nuk eksperimentohet me agjensione kyçe siç është ATK por e tërë kjo po e vërteton eksperimentin në vazhdimësi me shtetin”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka potencuar se sap otë kemi institucione të reja duhet të merren me këto çështje në mënyrë serioze.

“Besoj se Kosova do të ketë institucione, do të ketë parlament në një të ardhme dhe duhet të merret me këto çështje në mënyrë serioze, jo vetëm me punësime që janë rritur në mënyrë enorme dhe që do të vazhdojnë sepse kemi shumë agjensione dhe borde të pakompletuara dhe tentativa për të kapur çdo gjë nga partitë politike përmes personave sipas përkatësisë politike dhe jo profesionalizmit, do ta ngufat Kosovën jo vetëm sot por edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Safet Gërxhaliu./Gazeta Blic/

 

Cakolli thotë se ATK-ja rrezikon të shndërrohet në vegël të Vetëvendosjes