Lajme

Kritikohet arsyetimi i Kurtit për tërheqjen nga vendimi për targat

11/27/2022 00:05
nga:Arsim Buxhovi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtin ka vendosur që jashtë kufijve të Kosovës të tregojë prapaskenat e krizës së targave e cila rrezikoi sigurinë e vendit së fundmi.

Kreu i Ekzekutivit ka dhënë një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e cila nuk është publikuar akoma e plotë.

Por, por detaje rreth deklaratave kryesore të Kurtit ka zbuluar gazetari Michael Martens.

Kurti, sipas gazetarit gjerman, ishte dakorduar për krizën e targave pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori i SHBA-së se situata në veri të Kosovës “mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.

“Ambasadori amerikan ‘kishte më shumë informacion se unë’ për situatën në veri”, theksoi Kurti, duke përmendur “shqetësimet e sigurisë” pa hyrë në detaje”, ka shkruar gazetari Martens në Twitter.

Këtë deklaratë të Kurtit po e vlerëson interesante eksperti i sigurisë Avni Islami.

Ai thotë se institucionet e sigurisë kanë kuptuar gjendjen, megjithëkëtë shton se ambasada amerikane mund të ketë pasur informacione shtesë.

“Përkundër kësaj të zoti Kurti, të gjithë e kemi ditë se gjendja e sigurisë në veri të Kosovës ishte një gjendje jo e mirë dhe jo stabile. Nuk është se institucionet e sigurisë së Kosovës dhe kryeministri i Kosovës nuk kanë pasur informacione të mjaftueshme, mirëpo marrëveshjes 48 orësh i dedikohet ambasadorit amerikan dhe mirë është që është bë ajo marrëveshje”, ka thënë Avni Islami, njohës i sigurisë.

Por krejt ndryshe këtë deklaratë të Kurtit e vlerëson ish-ministrja e jashtme, Meliza Haradinaj.

“Kjo deklaratë nëse nuk është nxjerrë nga konteksti nga gazetari (si jo rrallë në të kaluarën) është skandaloze pwr t’u thënë për një medium ndërkombëtar”, ka thënë Hardinaj.

Nga ana tjetër, Zgjim Hyseni, nga Partia Social Demokrate thotë se Kurti po i ndryshon deklaratat pasi në Kuvend ka thënë krejt diçka tjetër.

Sipas, tij nëse me çështje sigurie po e arsyeton shtyrjen e vendimit, Kurti siç thotë Hyseni, të njëjtën do ta bëjë edhe për themelimin e Asociacionit.

“As 24 orë nuk rri një deklaratë e kryeministrit që me ardh tjetra që e demanton atë të mëparshmen, kjo tregon për një papërgjegjësi e cila kur e dimë që të vjen prej dikujt që udhëheq me vendin situatën e bën tragjike.

Kryeministri në Kuvend iu tha deputetëve se pse marrëveshja është pranuar të enjten, është se na arritëm aty me pru ma shumë substancë, pra me imponu planin franko-gjerman”, ka thënë Zgjim Hyseni, nga PSD-ja.

Marrëveshja për targa mes Kosovës dhe Serbisë është arritur të mërkurën, e cila parasheh që Serbia të ndalojë lëshimin e targave ilegale kurse Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. /Dukagjini/