Lajme

Kritikat e Osmanit ndaj Qeverisë/ Politologu: E vonuar, për çështje puro politike dhe jo parimore – deri tani nuk e ka ngritur zërin

11/27/2024 12:36
nga:G B

Politologu Dritëro Arifi, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani për fjalimin e saj të mbajtur në Kuvend.

Ai për Gazeta Blic thotë se nga aspekti përmbajtësor fjalimi ishte korrekt, por nga ai politik dhe diplomatik shumë i vonshëm, duke shtuar se ajo nuk është në pozitë ta kritikojë qeverinë.

“Fjalimi nga aspekti përmbajtësor ishte korrekt por nga ai politik dhe diplomatik shumë i vonshëm, sepse katër vite njëfarë mënyre e këtij lloj izolimi ka qenë edhe vet presidentja, ne po e harrojmë që në Kuvend presidentja ka thënë se Marrëveshja e Uashingtonit është antikushtetuese, kështu që nuk e dimë tash se kush ka luajtur dhe kush po luan bixhoz, nuk është në pozitë ta kritikojë qeverinë’, shprehet ai.

Sipas Arifit, i gjithë fjalimi kritikues i Osmanit ishte për shkak se është në fund të mandatit dhe e ka parë zbehjen e përkrahjes së qytetarëve ndaj VV-së, teksa shton se opozita është dashur ta përkrahë presidenten.

“Pikërisht tash për shkak se po i afrohet fundit të mandatit dhe e ka nuhatur që Vetëvendosje nuk e ka më përkrahjen që e ka pasur, normalisht edhe kjo është pjesë e asaj pse nuk e ka këtë përkrahje, këtu është një plus i madh por unë mendoj që opozita që ta përkrahë sepse është ajo parulla e famshme “Armiku i armikut tim është miku im”, pra në këtë rast është dashur ta përkrahë presidenten, për ta goditur qeverinë me ia zbeh probalitetin e votuesve të pavendosur”, vlerëson politologu për Gazeta Blic.

Ndërsa, sa i përket ligjeve të kthyera për rishqyrtim nga presidentja Osmani, Arifi thotë se është çështje pure politike dhe jo parime, duke shtuar se këtë ka mundur ta bëjë për shumë ligje por nuk e ka ngritur zërin.

“Kjo është në vazhdën e asaj politike që të krijojë një momentum të favorshëm për presidenten, por ka edhe ligje tjera që ka mundur t’i kthejë, edhe të refuzojë, edhe të ndërhyjë, ta atakojë Qeverinë për gjithë ato shkelje kushtetuese por ajo nuk e ka ngritur zërin, prandaj po them që kjo nuk është çështje parimore, është puro politike e pozicionimit të vet”, thekson ai.

Se sa do të përfitojë Osmani nga gjithë kjo, politologu thotë se nuk mund të dihet, pasi rrethanat politike imponojnë dhe vendime ndonjëherë.

“Këtë nuk mund ta dimë sepse rrethanat politike nganjëherë t’i imponojnë edhe vendimet, kështu që shpresojmë që rrethanat të mund të jenë në favor të saj”, deklaron Dritëro Arifi./Gazeta Blic/