Lajme

Krimi që tronditi botën, Haradinaj: Asnjëherë nuk do ndalemi së kërkuari drejtësi për Reçakun

01/15/2025 09:50
nga:G C

Kandidati për kryeministër i AAK-së, Ramush Haradinaj, theksoi rëndësinë e drejtësisë për Reçakun dhe masakrat e tjera në Kosovë, raporton GazetaBlic.

Ai e quajti masakrën e Reçakut një plagë të thellë në historinë e Kosovës dhe një dëshmi të gjenocidit serb.

Haradinaj theksoi angazhimin për një të ardhme të sigurt për Kosovën, duke nderuar viktimat dhe dëshmorët e kombit, dhe duke qëndruar të përkushtuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Shkrimi i plotë:

Asnjëherë nuk do ndalemi së kërkuari drejtësi – për Reçakun dhe të gjitha masakrat në Kosovë!

Masakra e Reçakut mbetet plagë e thellë në historinë tonë, dëshmi e pamohueshme e gjenocidit dhe krimeve serbe ndaj popullit tonë. Në këtë ditë përkujtimi, përulemi me respekt të thellë para sakrificës sublime të 45 civilëve të pafajshëm, të cilët u bënë viktima të barbarisë në zemër të Evropës.

Ky krim i tmerrshëm, që tronditi ndërgjegjen e botës demokratike, shënoi kthesën vendimtare në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Sot, duke nderuar viktimat e Reçakut dhe të gjithë dëshmorët e kombit, jemi më të vendosur se kurrë që Kosova të ecë përpara e sigurt, direkt në NATO, krah aleatëve tanë strategjikë të udhëhequr nga Amerika.

I përhershëm kujtimi për të rënët!