Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu ka reaguar pas vonesave për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, raporton Gazeta Blic.
Ai ka propozuar ndryshimin e ligjit zgjedhor.
“Problemi më i madh që po shfaqet gjithnjë e më shpesh duhet të adresohet me ndryshim të ligjit zgjedhor. Në mes tjerash, duhet ta heqim votën preferenciale dhe ta zëvendësojmë me votimin “një kandidat – një votë”, ka shkruar ndër të tjera Kryeziu:
Postimi i plotë:
Dy kandidatë të PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, kanë paraqitur ankesa lidhur me votat e tyre brenda partisë. Kjo ka bërë që certifikimi i rezultatit zgjedhor të shtyhet për disa ditë, derisa të konsumohen të gjitha afatet ligjore për ankesa dhe trajtimi i tyre nga institucionet përgjegjëse.
Deri këtu, gjithçka është në përputhje me procedurat ligjore. Megjithatë, problemi më i madh që po shfaqet gjithnjë e më shpesh duhet të adresohet me ndryshim të ligjit zgjedhor. Në mes tjerash, duhet ta heqim votën preferenciale dhe ta zëvendësojmë me votimin “një kandidat – një votë”.
Kjo mënyrë do ta pastrojë procesin zgjedhor, do të zvogëlojë përplasjet dhe grupimet brenda partive, do të shmangë vonesat në certifikimin e rezultateve dhe do ta forcojë lidhjen e drejtpërdrejtë mes kandidatit dhe votuesit.
Ndryshimi i ligjit zgjedhor duhet të jetë një nga prioritetet kryesore. Listat zgjedhore duhet të organizohen sipas modelit të zgjedhjeve lokale, ku secili qytetar voton një kandidat.


