Lajme

Kreu i OSBE-së: Zgjedhje gjithpërfshirëse në veri, do t’i ndihmojmë KQZ-së

06/06/2023 10:30
nga:Y I

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, është takuar këtë të martë me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ka diskutuar për situatën në veri.

Pas takimit, Davenport ka thënë se e mbështesin fuqishëm thirrjen e BE-së për depërshkallëzimin e situatës si dhe mbajtjen e zgjedhjeve gjithpërfshirëse në komunat veriore të Kosovës.

“Me Miroslav Lajçak sot u theksua rëndësia e progresit në dialogun e lehtësuar nga BE dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha komuniteteve në institucione dhe zgjedhje. OSBE në Kosovë qëndron fuqishëm përkrah KFOR-it dhe EULEX-it në përmbushjen e mandateve tona përkatëse në Kosovë. Mbështetje e fuqishme për thirrjen e BE-së për depërshkallëzimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse në komunat veriore”, ka shkruar ai në Twitter.

Davenport ka theksuar se OSBE-ja do të ndihmojë institucionet e Kosovës, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të ofruar integrim dhe dialog duke përfshirë të gjitha komunitetet.