Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar në parim Projektligjin për çmimet tavan, apo masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Projektligji parash veprime konkrete, sidomos në produkte bazike duke përfshirë: drithërat, miellin, grurin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripen e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin, produktet e higjienës personale, etj.
Por votimi i këtij projektligji, po shihet si një ndërhyrje direkt në treg e cila mund të sjellë pasoja.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë për Front Online se ndërhyrja e shtetit në treg mund të sjellë pasoja në përkeqësimin e furnizimit të tregut me mallrat, të cilat, siç ka thënë ai, mund të preken nga vendosja e çmimeve tavan.
“Oda Amerikane beson se ndërhyrja direkte e shtetit në treg, mund të sjellë pasoja të kundërta me ato që synohet të jenë efektet e projektligjit të propozuar, duke ndikuar në përkeqësim të furnizimit të tregut me mallrat të cilat mund të preken nga vendosja e çmimeve tavan” tha Zeka.
E që kjo të mos ndodhë, ai tha se Oda Amerikanë ka rekomanduar që të rishikohen politikat tatimore për mallrat esenciale.
“Oda Amerikane tash e sa kohë ka rekomanduar rishikimin e politikave tatimore për mallrat esenciale, duke i bërë kështu shpenzimet për shportën e konsumatorit me të përballueshme për qytetaret”, deklaroi Zeka.
Projektligji për çmimet tavan u kundërshtua nga tri partitë opozita, ndërsa nga partia në pushtet u kërkua që përmes një mocioni procedural që Projektligji të sillet në Kuvend për votim të dytë.


