Një lajm i mirë jo vetëm për skuadrën e Prishtinës, por për të gjithë adhuruesit e futbollit kosovar.
Njëri ndër futbollistët më të dalluar në nivelin elitar të futbollit tonë, Kreshnik Uka është rikthyer nga lëndimi, i cili e la gjatë jashtë fushave të blerta.
Ai u operua dhe mungoi për më shumë se 6 muaj, duke qenë pjesë e një faze aspekt të lehtë rikuperimi. Uka është tashmë gati dhe pritet të jetë pjesë e formacionit të trajnerit Egbo.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Kreshnik Uka ka dhënë një rrëfim emocionues për sfidat që i kaloi gjatë procesit të rikuperimit.
“Falenderoj Zotin që më ka dhënë forcë dhe vullnet të madh për të kapërcyer këtë sfidë të vogël, familjen time që e kam afër gjithmonë dhe shokët e skuadrës por edhe kolegët e tjerë që më kanë dhënë kurajo të kthehem në fushë. Ka qenë një kohë shumë e gjatë nga dëmtimi deri në rikthim, rreth 6 muaj e gjysmë, ishte një sfidë shumë e vështirë, vetëm ata që kanë përvojë mund ta kuptojnë këtë lloj dëmtimi, pasi përveç ushtrimeve me plan-program që duhet ndjekur menjeherë pas operacionit, pjesa më e vështirë është ajo psikologjike, që do të thotë se çdo ditë duhet të bësh një progres të vogël të rikuperimit dhe të fitosh sado pak forcë që të vazhdosh tutje“, tha fillimisht ai.

Tutje, Uka shprehu falënderim për ata që e ndihmuan profesionalisht në këtë proces, kurse tha se është gati për të dhënë më të mirën në fushë.
“Dëshiroj të falënderoj doktor Qerim Kida për operacionin e suksesshëm, klubin tim që më qëndroi afër si çdo herë, dhe fizioterapeutët Dardan Sinani dhe Shefki Kameri, pa të cilët ky rikuperim do të ishte i pamundur ose do të vonohej. Tani jam gati për të dhënë më të mirën time dhe për t’i ndihmuar ekipit në fushë, duke shpresuar që asnjë futbollist të mos ketë lëndime në karrierë, sepse shpesh-herë mund të ndikojnë edhe më përfundim të epokës së tyre në këtë sport, gjë që është vërtetë e dhimbshme“, përfundoi Uka.
/GazetaBlic Sport/


