Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se krerët e komunave të Kosovës nuk kanë pasë kërkesa për heqjen e orës policore.
Kjo sipas tij, është edhe e kuptueshme, pasi janë në një situatë ku janë në fushatë. Gjithsesi, ai konfirmoi se gjatë javës do të tentojnë komunikimin me ministren e re, Gexha, me të cilën do të diskutojnë rreth masave të reja, përcjell GazetaBlic.
“Procesi i vaksinimit është duke shkuar mirë, jemi duke e përcjellur situatën nëpër komuna sesi është duke shkuar puna në shkolla. Pra jemi në javën e dytë prej fillimit të shkollave, po shikojmë nëse do të ketë apo jo rritje të rasteve, për çka kuptohet shpresojmë që të mos ketë, po gjatë kësaj kohe do të mundohemi që ta mbajmë edhe një takim me nivelin qendror. Edhe pse është kohë fushatë, vëmendja nga situata me Covid-19 nuk duhet të largohet asesi. Fatmirësisht numrat janë duke rënë, edhe të atyre të infektuar e edhe me fatalitet, po besoj që me monitorimin e situatës do ta kemi edhe një takim”, tha fillimisht ai.
Ndërkaq, në atë se a kanë pasur kërkesë nga ana e krerëve komunalë për heqje të orës policore, Ibrahimi e mohoi, porse shtoi faktin që aktualisht jemi në kohë zgjedhore dhe se të njëjtit janë të angazhuar maksimalisht në fushatë.
A ka kërkesa prej kryetarëve të komunave për heqjen e orës policore?
“Jo, të them sinqerisht nuk e kemi diskutuar. Të gjithë kryetarët kanë angazhime në fushatë, por nuk e kemi diskutu çështjen e heqjes së orës policore, por e kemi diskutuar çështjen e mundësisë së krijimit të ekipeve mobile për vaksinim të popullatës. Do të thotë, synimi është që mos të ketë vëmendje të vaksinimit vetëm në një qendër, por të krijohen më shumë ekipe, të dalin në teren, nëpër fshatra, nëpër lagje të ndryshme. Fatmirësisht, ajo që është shumë me rëndësi, me nisjen e shkollës, nuk ka rritje të numrave, pra kjo është shumë me rëndësi. Gjatë javës besoj se do të kontaktojmë me ministren e re, znj. Gexha, por ajo që është e rëndësishme, po e përsëris, nuk ka rritje të rasteve në shkolla”, tha Ibrahimi për GazetaBlic.