Lajme

Krerët e SBASHK-ut takohen me Golën, shprehin shqetësimet lidhur me ndryshimet në skemën pensionale

01/30/2024 15:01
nga:N K

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj dhe nënkryetarja Vjollca Shala janë takuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës me kryetarin e Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola.

Sipas njoftimit të SBASHK-ut, Jasharaj ka deklaruar se janë shumë çështje në arsim që duhen debatuar dhe prandaj ka kërkuar nga Gola që të organizohet një takim i anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Arsim me përfaqësuesit e sindikatës për të debatuar dhe për të bërë bashkërisht përpjekje në shërbim të ngritjes së cilësisë.

Jasharaj thuhet se i ka shprehur shqetësimet e SBASHK-ut edhe lidhur me ndryshimet që janë bërë në skemën pensionale, e që kanë prekur në të drejtat e fituara të punëtorëve të pensionuar arsimor dhe ka lutur Gola që të gjej kohë për t’u takuar me përfaqësuesit e SBASHK-ut të cilët do të ofronin fakte e argumente për çështjen e ngritur.

“Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, deputeti Ardian Gola ka shprehur gatishmërinë  për të realizuar së shpejti takim me përfaqësuesit e  SBASHK-ut lidhur me çështjen e ngritur për skemat pensionale dhe për një takim me Komisionin Parlamentar për Arsim”, thuhet në komunikatën për media.

Më tej bëhet e ditur se nënkryetarja Shala ka informuar Golën për të gjitha angazhimet që janë bërë e do të bëhen në mënyrë që Konferenca e 20 dhe 21 shkurtit “Kujdesi për shëndetin mendor në shkollat e Kosovës” të jetë e organizuar mirë dhe të arrijë objektivat e parapara.

“Kryetari Gola ka përgëzuar SBASHK-un dhe Qendrën Amerikane të Solidaritetit për idenë e qëlluar të mbajtjes së këtij aktiviteti duke uruar që panelistët dhe pjesëmarrësit të japin kontribut  të lartë  me qëllim që të nxjerrën edhe rekomandime  për të gjithë palët se çfarë mund të bëhet në të ardhmen në shërbim të arsimit në Kosovë”, thuhet në njoftim.