Lajme

Krerët e institucioneve bëjnë homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit

04/18/2026 11:36
nga:Gazeta Blic

Në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, pran shtatores së Zahir Pajazitit në kryeqytet, krerë institucionesh shtetërore po bëjnë homazhe.

Homazhe bëri U.D. e Presidentes së vendit, njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Haxhiu vlerësoi jetën dhe veprën e tij, duke shtuar se me respekt vlerësohet dhe nderohet çdo dëshmor, shkruan EO.

“Mirë se po gjejmë njëri-tjetrin këtu te ‘Zahir Pajaziti’, në ditën e dëshmorëve të Prishtinës, që me respekt e vlerësojmë jetën dhe veprën e heroit tonë Zahir Pajazitit, por edhe të të gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë”.

“Zahir Pajaziti me shokë ishin ndër të parët që i dhanë kuptim rezistencës së organizuar kundër regjimit të asaj kohe, madje shërbyen edhe si shembull i guximit, vendosmërisë në rrethana tejet të vështira për vendin tonë. Kontributi i tyre nuk ishte vetëm kontribut gueril, ushtarak apo profesional, por ishte edhe kontribut moral për faktin se ata ngritën lart shpresën që vendi jonë mund të ketë liri, mund të çlirohet dhe mund të jetë i pavarur. Madje ata shërbyen edhe si frymëzim që shumë të rinj e të reja t’i bashkohen radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Sot nderojmë jetën dhe veprën e heroit tonë Zahir Pajaziti, gjithë dëshmorëve të Prishtinës por edhe gjithë dëshmorëve të kombit. Institucionet e Republikës së Kosovës sikurse edhe shoqëria jonë asnjëherë nuk duhet ta harrojë kontributin e tyre sepse në fakt ishte kontributi i tyre që sot ne jetojmë në një shtet të lirë dhe të pavarur”, tha Haxhiu para mediave.

Veç tyre, homazhe bëri edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me bashkëpunëtorë.