Lajme

“Krejt populli është me ta, i presim të lirë”: Përfundon marshi i madh mbështetës për drejtuesit e UÇK-së

02/17/2026 15:18
nga:Sh R

Dhjetëra–në mos qindra–mijëra shqiptarë anekënd Kosovës e patën destinacion Prishtinën për të protestuar e marshuar për drejtësi.

Sheshet e ngjeshura me pjesëmarrje madhështore u dhanë me pamje nga ajri për një fotografi të plotë kuq-e-zi në mbështetje të UÇK-së.

Kjo në ditën e tetëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, themeli i shtetësisë i të cilës alarmohet të jetë nën sulm dhe i sfiduar nga Prokuroria e Specializuar.

Aty ishte e pranishme edhe e para e shtetit, Vjosa Osmani në rresht të parë me Endri Thaçin, të birin e Presidentit, Hashim Thaçin.

Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës tha se drejtuesit e UÇK-së në Hagë “i presim të lirë” me verdikt gjyqësor si të pafajshëm.

“Ja ka vlejt çdo sakrificë. Jemi me ta, krjet populli është me ta. I presim të lirë dhe të pafajshëm me ardhë në Kosovë. Shqiptarët janë bashkë, për kombë e atdhe, dhe luftëtarët”, tha Haradinaj.

Hapja u bë me një videoprezentim ku nxjerren fjalime të dëshmitarëve ndërkombëtarë të mbrojtjes si Wesley Clarke e James Rubin për pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës.

Pastaj u pasua me këngë nga Ilir Shaqiri, këngëtari i çdokohshëm kombëtar.

Organizatori i marshit “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli tha se 17 Shkurti është jo vetëm festë, por edhe kujtesë e shpalljes së shtetit, lirisë dhe dinjitetit.

“Duhet ta themi qartë dallimin mes agresorit dhe viktimës. UCK-ja nuk lindi për të marrë tokë të huaj por për ta mbrojtur tokën e vet. Kjo është e vërteta historike që nuk mund të ndryshohet.”

Marshi zgjati për 1 orë dhe qytetarët u shpërndanë.