Lajme

Krejt çka u diskutua sot në takimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime

05/07/2024 13:29
nga:G C

Sot është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, nën kryesimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndërsa pjesëmarrës ishin zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli si dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Në fjalimin e tij Kurti tha se dialogu i fuqishëm publik e privat forcon besimin ndërmjet dy sektorëve.

“Në fjalën e tij, kryeministri tha se një dialog i fuqishëm publik privat forcon besimin ndërmjet dy sektorëve prandaj është thelbësore të kuptojmë se si një dialog i tillë i strukturuar mirë mund ta transformojë ekonominë tonë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Derisa, kryeministri u ka bërë thirrje bizneseve të Kosovës që të bashkëpunojnë me Qeverinë.

“Me këtë rast, kryeministri u bëri thirrje bizneseve tona më konkurruese, shoqatave të biznesit dhe projekteve të financuara nga donatorët që të vazhdojnë e forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të zhvilluar plane strategjike dhe operacionale që rrisin investimet e huaja direkte, eksportet dhe nxisin zhvillimin efektiv të biznesit”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, Bislimi ka trajtuar Planin e Rritjes të BE-së, për Ballkanin Perëndimor.

“ Zëvendëskryeministri Bislimi në adresimin e tij trajtoi Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, synimet e objektivat e tij. Korniza e fushave ka qenë standarde dhe e vendosur nga Komisioni Evropian dhe përbën pesë prej tyre: qeverisja; tranzicioni i gjelbër dhe digjital; zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisin e biznesit; edukimin apo zhvillimin dhe ruajtjen e kapitalit njerëzor; dhe vlerat themelore dhe sundimi i ligjit”, thuhet në komunikatë.

Poashtu, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pasi bëri një përmbledhje të skemave për efiçiencë të energjisë, tha se me nivelin e investimeve që parashihen në këtë sektor, Kosova është e para në rajon që ka kaq shumë investime në këtë fushë në këtë kohë kyçe.

Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se mbështetja e krijimit të parqeve moderne industriale është një nga masat prioritare të politikës së parë industriale 2030, pra që nga koha e pas luftës, e cila është një strategji zhvillimore gjithëpërfshirëse për sektorin e prodhimit të Kosovës.

Kurse, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi paraqiti disa prej aktiviteteve që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe prej takimit paraprak të këtij Këshilli në shkurt të këtij viti, si vazhdimi i punëve në projektet e ndryshme infrastrukturore në vend.