Sot rreth orës 16:00 si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Lupç të Podujevës janë plagosur tre persona, ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga thika.
Këtë fillimisht e konfirmoi zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë). Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti GazetaBlic.
Të katërtit janë dërguar në Klinikën Emergjente të QKUK, ku kanë qëndruar patrulla të shumta të Policisë.
Më pas, mjeku kujdestar, Agron Çitaku, dha detaje për gjendjen e tyre shëndetësore. Ai ka thënë se dy nga të plagosurit në Lupç janë në gjendje pak më të rëndë, ndërsa dy të tjerët në gjendje më të lehtë.
“Diku në orën 16:10 kanë mbërri katër raste me lëndime të shkaktuara nga armët e zjarrit. Trajtimi i tyre ka zgjatur deri tani. Prej tyre, dy janë në gjendje pak më të rëndë, dhe dy janë në gjendje më të lehtë”, tha Çitaku para gazetarëve.
Ndërkaq, zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë se nga hetimet fillestare dyshohet se ngjarja ka ndodhur një mosmarrëveshje mes disa familjarëve. Ajo shtoi se një person është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar.
“Pas pranimit të informatës nga policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendngjarje. Nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave (familjarë), në fshatin Lupç, si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe përdorimit të thikës, janë lënduar katër (4) persona, të cilët janë dërguar për ta marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa një (1) person i dyshuar në këtë ngjarje është shoqëruar në stacion policor për tu intervistuar. Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë”, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti”, tha Ulaj.
Pas trajtimit mjekësor që mori në Emergjencë, një nga të lënduarit është arrestuar, ndërkaq më vonë Policia bëri të ditur se pesë personave u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Deri tani, nga ana e prokurorit të shtetit, masë e ndalimit (48 orë) është shqiptuar për pesë persona të dyshuar dhe rasti është cilësuar si vrasje në tentativë”, tha zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Prokuroria e Prishtinës më pas ka dalë me një detaje shtesë. Zëdhënësja e Prokuroria në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka thënë se personat e dyshuar që janë duke u trajtuar në QKUK janë nën masën e sigurisë nga Policia.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e pesë (5) personave të dyshuar në këtë rast, për shkak të veprës penale “Vrasja në tentativë”. Personat e dyshuar të cilët janë duke u trajtuar në QKUK janë nën masën e sigurisë nga policia”, tha Ulaj.