Pezullimi nga puna i drejtorit rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq, pas refuzimit të tij për shqiptimin e qortimeve për targat, solli largimin e “Listës Serbe” nga institucionet dhe dorëheqjen e kryetarëve të komunave në Veri, policëve, gjyqëtarëve dhe prokurorëve.
Pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në Veri të vendit, presidentja Vjosa Osmani, shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme me datën 18 dhjetor.
Por, mbajtja e këtyre zgjedhjeve u pamundësia për shkak të trazirave dhe tensioneve të shkaktuara nga bandat kriminale në Veri .
Shpërthime të njëpasnjëshme pati në pjesën veriore duke shkaktuar dëme materiale edhe në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë dhe Zubin Potok.
Pas këtyre trazirave, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi me datën 8 dhjetor shtimin e forcave policore në Veri të vendit.
Pas shtimit të prezencës së policisë në Veri, persona të panjohur sulmuan një patrullë duke plagosur një polic dhe shkaktuar dëme të shumta materiale.
Ngjarjet e ditëve të fundit në Veri dhe tensionimi i situatës në ketë pjesë të vendit, solli reagimin e SHBA-ve.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve të datës 18 dhjetor pasi sipas tij nuk ka kushte të mbahen.
“SHBA-ja është e shqetësuar se nuk janë krijuar kushtet që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë”, u tha në reagimin e e tij raporton Gazeta Blic.
Në sinkron me SHBA-të ishte edhe Gjermania, të cilët po ashtu kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve në Veri të vendit.
“Jam dakord me kolegun tim amerikan që zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e qartë se situata aktuale nuk është e favorshme për mbajtjen e tyre tani”, shkroi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde në rrjetin social Twitter raporton Gazeta Blic.
Pas kërkesës së SHBA-ve dhe BE-së për shtyrjen e zgjedhjeve, presidentja e vendit Vjosa Osmani ftoi në takim partitë politike në vendit për t’u konsultuar në lidhje me shtyrjen e zgjedhjeve.
Pas takimit me subjektet politike, Osmani deklaroi se është vendosur për shtyrjen e zgjedhjeve dhe mbajtjen e tyre me datën 23 prill.
Osmani ka thënë se për këtë vendim ka pasur konsensus të plotë mes partive politike dhe se është marrë parasysh edhe raporti i dërguar në Presidencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, ka thënë ajo një konferencë për media pas takimit raporton Gazeta Blic.
Por edhe pas shtyrjes së zgjedhjeve, situata në Veri vazhdoi të mbetet e tensionuar.
Në disa lokacione në Veri, serbët lokalë vendosën barrikada duke pamundësuar lëvizjen.
Përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve për heqjen e barrikadave në Veri, të njëjtat ende nuk janë larguar.
Forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.
Presidenti Vuçiq dhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, gjatë këtyre ditëve kanë provokuar, duke deklaruar se do të dërgojnë 1000 ushtarë serbë në Kosovë.
Por një kundërpërgjigje të ashpër në lidhje me këto deklarata pati emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndmimor, Gabriel Escobar.
Escobar tha se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
“Do të ritheksoj se Kosova ka garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara me pjesëmarrjen e tyre në KFOR”, tha Escobar në Prishtinë raporton Gazeta Blic.
Ndërsa sa i përket barrikadave ai theksoi se të njëjtat duhet të hiqen menjëherë.
I dërguari i posaqëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, së bashku me me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçka zhvilluan një takim mbrëmjen e djeshme edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Escobar deklaroi pas takimit me Kurtin se presin implementimin e Asociacionit.
“Unë e bëra të qartë edhe pritjen time që të fillojmë të flasim për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. E bëra shumë të qartë, prandaj shpresoj që do të shohim angazhim gjatë kësaj krize në një të ardhme të afërt”, ka deklaruar Escobar pas takimit me Kurtin.
Escobar dhe Lajçak gjatë ditës së sotme kanë zhvilluar takime edhe në Serbi me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në lidhje me situatën në Veri.
Megjithëse situata mbetet e qetë, barrikadat në Veriun e Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në disa nga rrugët që qojnë në dy pikat kufitare, që ndajnë Kosovën me Serbinë Jarinje dhe Bërnjak, raporton Gazeta Blic.
/Gazeta Blic/
Takimi me Kurtin, Escobar: E bëra shumë të qartë, e presim implementimin e Asociacionit


