Lajme

Krejt çfarë ndodhi në seancën konstituive të Kuvendit

7 ditë më parë
nga:G C

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, pasi deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.

Kryesuesi i seancës tha se do t’i drejtohen presidentes, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.

PDK-ja dhe LDK-ja nuk po e pranojnë dorëheqjen e dorëzuar nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Kurti i ka akuzuar këto parti për “sulm brendainstitucional”.

Në seancën konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.

Cakolli kritikon mënyrën e dorëheqjes së kabinetit qeveritar, sqaron procesin

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, beson se ankesat e opozitës lidhur me mënyrën se si dhanë dorëheqje Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, që janë zgjedhur deputetë, janë të bazuara.

“Dorëheqja e kryeministrit nuk është e mjaftueshme – çdo ministër që ka fituar mandat si deputet duhet të dorëzojë dorëheqjen individualisht dhe në rrugë zyrtare”, thotë mes tjerash Cakolli.

Ai thekson se nuk është e pranueshme që këto dokumente të dorëzohen në mënyrë informale apo përmes individëve të ndryshëm në ambientet e Kuvendit. Procedura e duhur përfshin dorëzimin zyrtar në Sekretarinë e Kuvendit, e cila më pas e përcjell dokumentacionin tek Komisioni përkatës.

“Sepse unë besoj që nuk është e hijshme që këto të sillen nga individë të caktuar, të barten shkresat me dorë nëpër hollët e Kuvendit. Por, ka përcaktim të procedurave se si bëhet pranimi i një shkrese nga Qeveria”, thotë Cakolli.

Enver Hasani: Opozita gaboi politikisht

Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, thotë Kuvendi i Kosovës nuk është bllokuar dhe mund të mblidhet çdo 48 orë, pasi deputetët dështuan ta konstituojnë këtë institucion.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani e cilëson si gabim mosvotimin nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

Këto parti, kanë vënë në dyshim dorëheqjen e paraqitur nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Por, Hasani thotë se me betimin e tyre si deputetë, ata nuk do të mund të ushtronin asnjë funksion ekzekutiv.

Presidenca: Nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi

Këshilltari për media në Zyrën e presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, tha se “deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi”.

“Para përgjigjes duhet të vijë pyetja”, shtoi ai, pasi u pyet për një deklaratë lidhur me atë që ndodhi në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, pas një pauze të shkurtër ka ndërprerë seancën, për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

“Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, tha ai.

Faton Peci nga Vetëvendosja tha se tani është në diskrecionin e presidentes Vjosa Osmani të japë një përgjigje ose t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.